Sot, u mbajt trajnim me anëtarët e Mekanizmit Koordinues Lokal për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore.
Në trajnim morën pjesë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, kryetari i Degës së Gjykatës Themelore në Podujevë, Minir Hoti, përfaqësues të Prokurorisë, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale, Stacionit Policor në Podujevë, Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Zyrës së Punësimit, përfaqësues të Strehimores, asambliste dhe zyrtarë të drejtorive komunale.
Trajnimi u mbajt nga Leonora Selmani, përfaqësuese e Agjencisë për Barazi Gjinore, e cila trajtoi legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore.
Gjatë trajnimit u diskutua për Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, Konventën e Stambollit, përfshirjen e saj në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e saj. Gjithashtu, u trajtuan procedurat standarde të veprimit, përgjegjësitë institucionale dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave.
Trajnimi shërbeu për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse, me qëllim të përmirësimit të mekanizmave për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.




