Qendra për Punë Sociale në Komunën e Podujevës në bashkëpunim me Organizatën për Fëmijë pa Kujdes Prindëror (OFAP) mbajtën takim sensibilizues për zhvillimin e shërbimit të strehimit familjar në Podujevë.
Në këtë takim, që u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal, mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, i cili e vlerësoi lart këtë takim që ka për qëllim të rrisë vetëdijesimin dhe informimin e qytetarëve për rëndësinë që ka kujdesi familjar për fëmijët që, për arsye të ndryshme, nuk mund të rriten pranë familjeve të tyre biologjike.
“Komuna e Podujevës e vlerëson lart këtë formë të solidaritetit dhe përgjegjësisë shoqërore dhe mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat, të kontribuojë në informimin, promovimin dhe mbështetjen e familjeve strehuese”, u shpreh kryetari Bulliqi.
Nga një fjalë rasti mbajtën edhe drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Lirie Hoti-Rama, drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale, Makfire Zeka dhe përfaqësuese të Organizatës OFAP.
Pjesëmarrësit e këtij takimi janë informuar se çka është strehimi familjar, cilat janë shërbimet që i ofron QPS-ja për fëmijët pa kujdes prindëror, për kornizën ligjore dhe institucionale rreth kësaj çështjeje, si mund të bëhesh familje strehuese, për mbështetjen financiare për këto familje, etj.
Gjatë këtij takimi u kërkua nga familjet e Podujevës që të aplikojnë për t’u bërë familje strehuese, në mënyrë që edhe ata fëmijë që nuk janë në përkujdesje të prindërve biologjikë të mos e ndjejnë mungesën e ngrohtësisë familjare, por të rriten me dashuri, siguri dhe përkujdesje.
Strehimi familjar është një formë alternative dhe e përkohshme e mbrojtjes sociale për një fëmijë që ka mbetur pa kujdes prindëror.
Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të Drejtorisë për Arsim, të QKMF-së, shkollave, Kryqit të Kuq, Policisë e qytetarë.


