Komuna e Podujevës në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, mbajtën një aktivitet përkujtimor me rastin e 64-vjetorit të lindjes së heroit të kombit, Zahir Pajaziti.
Në këtë aktivitet që nisi me homazhe në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan morën pjesë zyrtarë institucionalë nga niveli qendror e lokal, ish-luftëtarë të UÇK-së, veprimtarë e qytetarë të shumtë.
Në manifestimin qendror, që u mbajt po aty, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, tha se Zahir Pajaziti me guximin, vendosmërinë dhe përkushtimin e tij ndaj atdheut, u vu në ballë të përpjekjeve për çlirimin e Kosovës, duke u shndërruar në njërin prej figurave më emblematike të luftës për liri.
“Njerëz dhe figura si Zahiri nuk vdesin kurrë. Ata kanë vetëm ditëlindje, sepse jeta e tyre vazhdon përmes veprës, sakrificës dhe kujtimit që lënë pas. Sot, 64 vjet pas lindjes së tij, ne nuk kujtojmë vetëm ditën kur ai erdhi në jetë. Kujtojmë rrugën që zgjodhi, idealin për të cilin luftoi dhe sakrificën që bëri për brezat që do të vinin pas tij”, tha ndër të tjera kryetari Bulliqi.
Nga një fjalë rasti mbajtën edhe vëllai i Zahirit, Bajram Pajaziti, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Në fund u dha edhe një program artistik ku u interpretuan këngë kushtuar heroit Zahir Pajaziti.













