Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, sot në Galerinë e Arteve në Podujevë u mbajt aktiviteti “Tetori Rozë, Bashkë për shëndetin, jetën dhe shpresën”, i organizuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, drejtoresha e Shëndetësisë, Lirie Hoti-Rama, drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale, Makfirete Zeka, anëtare nga ekzekutivi komunal, profesionistë shëndetësorë dhe personel nga Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare, asambliste, punonjëse të administratës komunale, si dhe gra e vajza, përfshirë gra që kanë kaluar sfidën e kancerit të gjirit.
Aktivitetin e hapi kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi, i cili theksoi rëndësinë e kujdesit për shëndetin dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. “Kontrollohuni me kohë. Kujdesuni për veten. Flisni dhe kërkoni ndihmë kur është e nevojshme”, ishte mesazhi i kryetarit Bulliqi, i cili njëkohësisht shprehu mbështetjen institucionale për të gjitha gratë që përballen me këtë sëmundje.
Një fjalë rasti mbajti edhe drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Lirie Hoti-Rama, e cila theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe mbështetjes së ndërsjellë mes grave, duke përcjellë mesazhin se asnjë grua nuk duhet të ndihet e vetme përballë kësaj sfide dhe se kujdesi për shëndetin duhet të jetë gjithmonë prioritet.
Një nga momentet më emocionuese të aktivitetit ishte rrëfimi i drejtoreshës së shkollës “Musli Dumoshi”, Sebahate Jakupi, e cila ndau me të pranishmit përvojën e saj personale në përballjen me kancerin e gjirit. Rrëfimi i saj emocionoi të pranishmit dhe përcolli mesazhe të fuqishme për guximin, shpresën, besimin dhe rëndësinë e mbështetjes familjare e shoqërore gjatë përballjes me sëmundjen.
Në përmbyllje të aktivitetit, doktori Shaip Aliu mbajti një prezantim informues mbi kancerin e gjirit, duke trajtuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta, diagnostikimit të hershëm dhe kujdesit shëndetësor. Aktiviteti vazhdoi me diskutime dhe pyetje nga të pranishmit, të cilave iu përgjigj doktori Aliu.