Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport organizoi sot në Teatrin e Qytetit “Avdush Hasani” diskutimin publik me temën “Mes rrënjëve dhe botës: Të rinjtë përballë identitetit kombëtar”, ku morën pjesë drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi-Azemi, nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë.
Në hapje të aktivitetit, drejtoresha Ibishi-Azemi u uroi mirëseardhje të pranishmëve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe vlerave kombëtare, si dhe rolin e të rinjve në përcjelljen e këtyre vlerave ndër breza.
Gjatë aktivitetit, historiani Albin Llalloshi zhvilloi një bashkëbisedim me nxënësit, duke trajtuar nga këndvështrimi historik çështje që lidhen me përkatësinë kombëtare, ndikimin e globalizimit dhe sfidat që sjell bota digjitale. Të rinjtë patën mundësinë të shprehin mendimet e tyre, të parashtrojnë pyetje dhe të ndajnë pikëpamje rreth temave të trajtuara.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte nxitja e dialogut dhe mendimit kritik te të rinjtë, si dhe ndërgjegjësimi i tyre për rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar në një botë që ndryshon vazhdimisht.




