Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur në takim kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore, Kastriot Lajçi dhe anëtarët Sylejman Latifi nga MMPHI e Gafurr Sllmaniku nga MAPL.
Gjatë këtij takimi është diskutuar rreth fatkeqësive natyrore, me theks të veçantë për vërshimet.
Komuna e Podujevës është në mesin e tri komunave në nivel vendi që kanë pasur më së paku dëme nga vërshimet e fundit dhe, sipas Kryetarit Bulliqi, kjo ka ndodhur falë ndërhyrjeve që i ka bërë Komuna në pastrimin dhe zgjerimin e shtretërve të lumenjve.
“Si Komunë, çdoherë do të jemi pranë qytetarëve dhe se investimet në përmirësimin e gjendjes së shtretërve të lumenjve nuk do të mungojnë as në të ardhmen”, tha Bulliqi.
Në takim të pranishëm ishin edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi dhe anëtarët e Komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore.