Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, sot priti në takim investitorin nga diaspora, Bekim Mazreku, nga kompania “Hapu”, i cili synon realizimin e një projekti në Podujevë, që pritet të hapë 200 vende të reja pune.
Kryetari Bulliqi tha se z.Mazreku dhe kompania e tij janë investitorë seriozë në prodhimin e dyerve inovative kundër zjarrit dhe për evakuim emergjent, një teknologji e patentuar për tregun evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinën.
“Bekim Mazreku, shpikësi i kësaj teknologjie, e ka prezantuar produktin në panairin ndërkombëtar FeuerTrutz në Nürnberg, ndërsa tani synon që prodhimi i saj të zhvillohet në Kosovë, duke krijuar një produkt me vulën ‘Made in Kosova’.
Si Komunë e Podujevës dhe si kryetar i saj, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me investitorë vendorë dhe të huaj për krijimin e bizneseve të reja dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, theksoi Bulliqi.