Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, po qëndron në një vizitë zyrtare në Turqi. Gjatë këtyre ditëve ai ka marrë pjesë në disa aktivitete dhe ka zhvilluar disa takime me zyrtarë turq.
Në fillim të vizitës, në Aeroportin Şanlıurfa në Turqi, ai është takuar me drejtorin e Teknologjisë CTO i Kompanisë të dronëve Bayraktar, Selçuk Bayraktar.
Më pas, në kuadër të kësaj vizite në qytetin Şanlıurfa, kryetari mori pjesë në Festivalin e Aviacionit TEKNOFEST, me ç’rast nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Dr. Elvan Kuzucu Hıdır, kryetare e Bordit të T3 Vakfı dhe anëtare e Bordit të Agjencisë Hapësinore të Turqisë, për themelimin e Qendrës për trajnim dhe përgatitje të nxënësve të Podujevës në fushat e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.
Kryetari i Komunës tha se përmes një programi dyvjeçar të trajnimit, nxënësit e përzgjedhur do të marrin njohuri dhe aftësi në fushat e robotikës, kodimit, inteligjencës artificiale, elektronikës dhe teknologjive hapësinore, me mundësi për një vit praktikë dhe punë në projekte konkrete.
“Podujeva është komuna e parë në Kosovë që arrin një marrëveshje të tillë, ndërsa nxënësit që do të shënojnë suksese gjatë trajnimeve do të kenë mundësi të marrin pjesë në gara ndërkombëtare të teknologjisë dhe inovacionit”, theksoi Shpejtim Bulliqi.
Gjatë kësaj vizite, kryetari takoi edhe Ali Oğuz, Drejtor i Tarım Teknolojileri Kümelenmesi TÜME.
TÜME është organizatore e zonës së teknologjive bujqësore në kuadër të TEKNOFEST-it, ku janë të përfshira gjithsej 22 kompani të mëdha turke që zhvillojnë teknologji inovative për bujqësinë.
“Me z. Oğuz biseduam për shkëmbimin e ideve dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet TÜME-së dhe fermerëve të Podujevës, me synim që teknologjitë dhe përvojat e reja në bujqësi të jenë më afër fermerëve tanë”, tha kryetari Bulliqi.