Në kuadër të muajit rozë që shënohet çdo tetor, sot është realizuar një aktivitet simbolik në objektin e administratës komunale, ku kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetari, Fahri Restelica dhe drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lirie Hoti-Rama, shpërndanë disa fjongo rozë, që është simbol i fushatës kundër kancerit të gjirit.
Në kuadër të këtij aktiviteti, kryetari Bulliqi nëpërmjet një videomesazhi kërkoi nga gratë e vajzat që të rrisin kujdesin ndaj shëndetit.
“Çdo grua meriton kujdes, mbështetje dhe qasje në shërbimet cilësore shëndetësore. Në këtë tetor rozë, si Komunë e Podujevës duam të përcjellim një mesazh të thjeshtë, por shumë të rëndësishëm; të kujdesemi për shëndetin para se të jetë vonë. Prandaj, ju ftoj të informoheni dhe t’i kushtoni rëndësi kontrolleve të rregullta”, tha kryetari i Komunës.
Edhe drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lirie Hoti-Rama, i ftoi gratë që të kujdesen për shëndetin e tyre.
“Kontrollet parandaluese janë një hap i rëndësishëm i mbrojtjes së jetës dhe mirëqenies suaj. Andaj, kontrollohuni, kujdesuni për vetën dhe inkurajoni edhe të tjerat ta bëjnë të njëjtën gjë’, tha ajo.
Ndërsa, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së QKMF-së, Venera Muçolli, tha se janë këtu për të ofruar këshilla, për të informuar dhe të ofruar shërbime shëndetësore.
“Mos i shtyni vizitat për nesër, sepse me hapa të vegjël mund të parandalojmë të këqija të mëdha”, theksoi Muçolli.
Në të gjithë botën muaji tetor shënon muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.