Kryetari i Komunës z. Shpejtim Bulliqi bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, znj. Saranda Bogujevci, nënkryetaren e Komunës, znj. Marigona Lahu, drejtorin e Arsimit, z. Avni Fetahu, zyrtarë nga niveli qendror dhe lokal, si dhe kolektivin e shkollës dhe me banorë të fshatit kanë vendosur me ceremoni solmene gurthemelin për ndërtimin e çerdhes së re në fshatin Gllamnik.
Objekti i ri do të ketë një sipërfaqe prej 886.36 m² do të ofrojë hapësira të përshtatshme për 80 fëmijë. Vlera e investimit është 688,800.00 euro, ndërsa afati i përfundimit të punimeve është 15 muaj.
Kryetari Bulliqi para mediave dhe të pranishmëve tha se: “Kjo është çerdhja e tretë me radhë që po investohet nga MASHTI në Podujevë dhe e shtata që nga ardhja jonë në udhëheqje të komunës. Po vazhdojmë me investime në përmirësimin e kushteve për edukimin dhe përkujdesjen e hershme të fëmijëve. Urime banorëve të Gllamnikut e veçanërisht fëmijëve të kësaj zone”.
Ministrja Nagavci tha “Në vazhdën e investimeve që po bëjmë si Qeveri dhe Ministri në edukimin e hershëm të fëmijëve radhën e ka fshati Gllamnik, ku këtu po ndërtojmë çerdhen e re falë edhe bashkëpunimit të mirë me Komunën. E gëzofshin banorët e kësaj zone këtë projekt me me shumë rëndësi”.


