Objektit të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Naum Veqilharxhi” në Llapashticë të Epërme do t’i shtohet një aneks i ri. Gurthemeli i ndërtimit të këtij objekti është vendosur sot në një ceremoni ku morën pjesë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, drejtori për Arsim, Avni Fetahu, mësimdhënës, nxënës e banorë të kësaj ane.
Kryetari Bulliqi tha se ky objekt po ndërtohet për të mundësuar mësimin gjithëditor.
“Në kuadër të vizionit tonë për mësimin gjithëditor, sot e vendosëm gurthemelin e ndërtimit të aneksit të Shkollës ‘Naum Veqilharxhi’ në Llapashticë të Epërme. Krahas Kuzhinës Qendrore që është duke u ndërtuar, do të vazhdojmë edhe me ndërtimin e hapësirave të reja shkollore në mënyrë që mësimi gjithëditor të realizohet suksesshëm”, tha kryetari Bulliqi.
Përveç këtij aneksi, janë duke u zhvilluar procedurat e prokurimit për ndërtimin edhe të anekseve të shkollave “Ibrahim Rugova”, “Xheladin Rekaliu” dhe “Enver Maloku”.