Komuna e Podujevës në bashkëpunim me organizatat e dala nga lufta e UÇK-së me aktivitete të ndryshme shënuan 5 Majin-Ditën e Dëshmorëve të Podujevës.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me nënkryetarin Fahri Restelica e drejtorë komunalë, ish-përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranë, familjarë të dëshmorëve e qytetarë bënë homazhe dhe vendosën lule të freskëta pranë varrit të heroit Zahir Pajaziti në Kompleksin Memorial, që mban të njëjtin emër, në fshatin Orllan.
Më pas homazhet vazhduan edhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në fshatin Penuhë. Aty u mbajt edhe manifestimi qendror kushtuar kësaj date të rëndësishme.
Kryetari Bulliqi theksoi se historia e popullit shqiptar është përplot sakrificë, qëndresë e përpjekje për liri e pavarësi.
“Kjo ditë nuk është vetëm një përvjetor simbolik, por një akt i përhershëm nderimi, një kujtesë kombëtare dhe një obligim moral e institucional për ta çuar përpara idealin për të cilin ranë dëshmorët”, tha Bulliqi.
Ndërsa, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, theksoi se Dita e Dëshmorëve është dita e cila i bashkon në dhimbje, në krenari dhe në përgjegjësi të përbashkët për çlirim.
Ndërkohë, kryetari i Organizatës së Veteranëve – Dega në Podujevë, Rafet Llapashtica tha se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk u fshehën, sepse Kosova dhe populli i saj ishin mbi gjithçka dhe se këtë e paguan me gjak, me dhimbje dhe sakrificë deri në vetëflijim.
Në shenjë mirënjohjeje për jetën që dhanë dëshmorët, u organizuar edhe një aksion për dhurim vullnetar të gjakut.