Në nderim të dëshmorëve të Betejës së Llapashticës, në 27-vjetorin e saj, u organizuan aktivitete të ndryshme. Shënimi i kësaj date historike të luftës së fundit në Kosovë, nisi me një aksion për dhurmin e gjakut. Më pas, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me zyrtarë tjerë bënë homazhe dhe vendosën lule në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Penuhë. Ndërsa, manifestimi qendror u organizua pranë lapidarit përkujtimor i kësaj Beteje te “Tabet e Llapashticës”.
Kryetari Bulliqi tha se sakrifica e këtyre dëshmorëve është themeli mbi të cilin është ndërtuar liria dhe shteti i Kosovës.
“Kontributi i luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qëndresa e popullit të kësaj zone do të mbeten përherë pjesë e pandashme e historisë sonë. Kujtimi dhe nderimi i dëshmorëve nuk është vetëm detyrim institucional, por mbi të gjitha obligim moral e kombëtar, si dhe një amanet që na obligon të punojmë çdo ditë për një Kosovë më të drejtë dhe më të zhvilluar”, theksoi Kryetari Bulliqi.
Me nga një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe njëri nga komandantët e UÇK-së në Zonën e Llapit, Kadri Kastrati dhe përfaqësuesi i Organizatës së Vetëraneve të UÇK-së në Podujevë, Rafet Llaspshtica.
Ndërsa, pas programit artistik u bën homazhe edhe pranë lapidarit të dëshmorëve të Betejës së Llapashticës.
Më 24 dhjetor të vitit 1998 ranë dëshmorë Isa Havolli, Ismet Dërguti, Skender Zejnullahu, Miftar Zenjullahu, Lulzim Jashari, Bajram Murati, Avni Selmani, Fatmir Selmani, Remzi Demolli dhe Jetullah Kastrati.