Në shënimin e 32-vjetorit të rënies heroike të Hasan Ramadanit, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi-Azemi, dhe drejtori për Bujqësi, Behram Latifi, së bashku me përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, vizituan Shtëpinë e Qëndresës në fshatin Shajkoc dhe bënë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në fshatin Penuhë.
Gjatë homazheve, ata vlerësuan lart veprimtarinë, qëndresën dhe sakrificën e heroit Hasan Ramadani, i cili u bë udhërrëfyes për mobilizimin dhe organizimin e rezistencës së armatosur për çlirimin e Kosovës.
“Vepra e Hasan Ramadanit do të mbetet përherë e skalitur në kujtesën tonë. Heroizmi dhe sakrifica e tij janë pjesë e pandashme e rrugëtimit tonë drejt lirisë së Kosovës. Lavdi e përjetshme heroit Hasan Ramadani dhe respekt i përhershëm për familjen Ramadani”, u shpreh drejtoresha Valbona Ibishi-Azemi.