Gjatë javës së kaluar, nga data 08.06 deri më 12.06.2026, në Komunën e Podujevës janë mbajtur dëgjimet publike të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2027–2029.
Dëgjimet u mbajtën në disa lokacione, përfshirë fshatrat Kërpimeh, Orllan dhe Lluzhan, si dhe në sallën e Kuvendit Komunal në Podujevë, me qëllim përfshirjen sa më të gjerë të qytetarëve në procesin e planifikimit buxhetor.
Gjatë këtyre dëgjimeve, Drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arbnorë Uka-Osmani, prezantoi draftin fillestar të Kornizës Afatmesme Buxhetore, duke paraqitur projeksionet për vitet 2027–2029 në të gjithë sektorët. Në të njëjtën kohë, qytetarët patën mundësinë të shprehin kërkesat, nevojat dhe sugjerimet e tyre, të lidhura drejtpërdrejt me zhvillimin e komuniteteve ku jetojnë.
Kërkesat e paraqitura përfshinë fusha të ndryshme, si shërbimet publike, infrastruktura dhe urbanizimi, arsimi, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi i turizmit, kultura dhe sporti.
Në këto takime morën pjesë edhe Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi-Azemi, si dhe Drejtori i Bujqësisë, Behram Latifi, të cilët prezantuan planet dhe prioritetet nga fushat përkatëse dhe u përgjigjën në pyetjet dhe kërkesat e qytetarëve.
Drejtoresha Uka-Osmani theksoi se të gjitha kërkesat e paraqitura do të shqyrtohen me kujdes dhe sipas mundësive buxhetore, do të përfshihen në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027–2029. Ajo gjithashtu inkurajoi qytetarët që të vazhdojnë të kontribuojnë me propozime edhe në formë elektronike, deri në finalizimin e draftit përfundimtar të këtij dokumenti.