Kuvendi Komunal i Podujevës e mbajti mbledhjen inauguruese në të cilën u bë edhe betimi i anëtarëve të rinj të Kuvendit dhe betimi i kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi.
Seanca solemne, e cila u kryesua nga anëtari më i vjetër i kësaj legjislature, Isak Ejupi nga LDK, filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe atë shtetëror.
Fillimisht u themelua Komisioni për verifikimin e mandatave të anëtarëve të rinj të Kuvendit të Komunës. Pas verifikimit të mandateve kuvendarët e rinj e bënë betimin dhe nënshkruan deklaratën e marrjes së mandatit.
Më pas betimin e bëri edhe kryetari Bulliqi, i cili gjatë fjalimit të tij theksoi se do t’ua shtrijë dorën e bashkëpunimit të gjithë anëtarëve të Kuvendit pa dallim partie, që të punojnë bashkërisht e të shtyjnë përpara projektet që zhvillojnë Komunën dhe mbrojnë interesat e përgjithshme.
“Unë zotohem para llapjanëve që Zyra e kryetarit të Komunës do të udhëhiqet nga parimi i gjithëpërfshirjes dhe trajtimit të barabartë sipas ligjit. Shërbimi për qytetarët dhe ndaj qytetarëve do të jetë detyrë e jona e përditshme”, tha Bulliqi.
Ai iu bëri thirrje qytetarëve dhe kuadrove të shumta që ka Llapi, të cilët kanë vullnetin, gatishmërinë dhe idealin për të kontribuuar me ide apo çfarëdolloj ndihme për Komunën e tyre, të mos hezitojnë t’i drejtohen.
“Edhe gjatë mandatit të kaluar kemi dëshmuar se mund të bëjmë punë të mëdha për Komunën tonë, si në zhvillimin ekonomik lokal, infrastrukturor, arsim, shëndetësi, etj. Prandaj, në këtë frymë do të vazhdojmë edhe mandatin e ri për transformimin e plotë të Podujevës”, tha Kryetari Shpejtim Bulliqi.
Ai i falënderoi anëtarët e legjislaturës së kaluar për bashkëpunimin, ndërsa anëtarëve të rinj iu uroi punë të mbarë.
Pas përmbylljes së punimeve të kësaj seance, kryetari dhe anëtarët e Kuvendit bënë homazhe para shtatoreve në qytet dhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në fshatin Penuhë.
