Sot u mbajt mbledhja e parë e Mekanizmit Koordinues Lokal për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, e udhëhequr nga Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucione dhe sektorë të ndryshëm relevantë. Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës.
Kryetari Bulliqi u uroi mirëseardhje anëtarëve të mekanizmit, duke theksuar rëndësinë e këtij mekanizmi si hap i domosdoshëm për koordinim më efikas dhe reagim të shpejtë institucional në mbrojtjen e viktimave dhe adresimin e rasteve të dhunës.
Gjatë mbledhjes, Qendra për Punë Sociale (QPS) prezantoi informatë mbi shërbimet që ofrohen për rastet e dhunës në familje, si dhe u diskutuan praktikat dhe sfidat në trajtimin e rasteve nga institucionet përkatëse. Po ashtu, u formua grupi punues për hartimin e draft-planit të punës për vitin 2026, i përbërë nga shtatë anëtarë dhe i miratuar unanimisht.
Në fund të takimit kryetari Bulliqi falënderoi anëtarët për angazhimin, duke ritheksuar gatishmërinë e komunës për të vazhduar mbështetjen e këtij mekanizmi në funksion të forcimit të bashkëpunimit institucional dhe ofrimit të mbrojtjes, kujdesit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme për të gjitha rastet në nevojë.