Në nderim të jetës dhe veprës së komandantit Zahir Pajaziti e heronjve Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha sot u mbajt koncerti-homazh “Trinomi i Janarit”.
Në këtë aktivitet që u mbajt në Teatrin “Avdush Hasani” në 29-vjetorin e rënies së këtyre heronjve, morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Nënkryetari Fahri Restelica, Kryesuesi i Kuvendit Komunal Isak Shabani, përfaqësues të institucioneve, anëtarë të ekzekutivit, asamblistë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë nga vende të ndryshme shqiptare.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi se që prej 29 vitesh, dita e fundit e janarit për çdo vit, është rezervuar për ta kujtuar Zahir Pajazitin me shokë, një ndër personalitetet më të shquara dhe më të veçanta në luftën për çlirimin e Kosovës.
“Këtë vit Zahirin me shokë po e kujtojmë me këtë akademi përkujtimore këtu në Podujevë, e vitin tjetër, që shënon përvjetorin jubilar, 30-vjetorin, do t’i nderojmë e lartësojmë nga Prishtina, nën patronatin e Kryeministrisë së Republikës së Kosovës”, tha Kryeministri Kurti.
Ndërsa, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, theksoi se kjo ditë është ditë reflektimi, ditë krenarie dhe ditë përgjegjësie.
“Gjaku i dëshmorëve nuk është vetëm histori, është themeli mbi të cilin u ndërtua liria jonë. Ai shtoi se Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha mbeten simbol i guximit, idealit dhe vendosmërisë, të cilët frymëzuan breza të tërë në rrugën drejt lirisë”.
Nga një fjalë rasti mbajtën edhe Kryesuesi i Kuvendit, Isak Shabani dhe vëllai i Zairit, Bajram Pajaziti.
Gjatë këtij koncerti-homazh u prezantua një program i pasur me drejtor artistik, Shkodran Tolaj, ku interpretuan Besiana Mehmedi, kori “Akapella”, me dirigjent prof. Dr Arifikmet Xhemaili nga Tetova, aktori Llesh Nikolla, Rudina Ciko – pianiste dhe maestro Zhani Ciko.