Me iniciativën e asamblistes Luljeta Muçolli-Azemi, në mbledhjen e kaluar të Kuvendit Komunal u propozua themelimi i Grupit Joformal të Grave Asambliste.
Sot u mbajt takimi i parë i këtij grupi, gjatë të cilit u bë prezantimi i anëtareve dhe u diskutua për qëllimet dhe mënyrën e funksionimit. Me miratimin e të pranishmeve, kryesuese e grupit u zgjodh Luljeta Muçolli-Azemi.
Në takim, anëtaret paraqitën edhe prioritetet kryesore për punën në vazhdim:
Gresa Qosaj ngriti çështjen e dhunës në familje;
Blerta Berisha trajtoi çështjen e papunësisë tek gratë;
Mimoza Abdullahu theksoi nevojën për adresimin e çështjes së strehimores;
Luljeta Muçolli-Azemi ngriti shqetësimin për shërbimet gjinekologjike, në veçanti mungesën e shërbimit të lindjeve në QKMF Podujevë.
Në takim ishte i pranishëm edhe Samir Calakovic nga Zyra e OSBE-së.
Në takim po ashtu, u diskutua për hartimin e planit gjashtëmujor të punës dhe u trajtuan çështje të tjera me rëndësi për funksionimin dhe aktivitetin e mëtejmë të grupit.