Në kuadër të fushatës “16 ditë aktivizëm” kundër dhunës me bazë gjinore, Policia në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale dhe Zyrën për Barazi Gjinore, ka zhvilluar sot një aktivitet ndërgjegjësues në sheshin e qytetit. Gjatë aktivitetit u shpërndanë broshura informuese me moton “Ndal dhunën në familje, jeto i lumtur”, me qëllim që qytetarët të marrin informatat e nevojshme për mbrojtje dhe raportim të rasteve të dhunës.
Me këtë rast, përfaqësuesit institucionalë bashkëbiseduan me qytetarët, duke i inkurajuar ata që të raportojnë çdo formë të dhunës dhe të kërkojnë mbështetjen e mekanizmave ekzistues në Komunë. Broshurat përfshijnë informacione praktike rreth mënyrave të raportimit, shërbimeve që ofrohen dhe kontakteve të institucioneve përgjegjëse.
Në aktivitet morën pjesë edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, si dhe deputetet Saranda Bogujevci dhe Drita Pajaziti, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit institucional në parandalimin e dhunës në familje dhe promovimin e barazisë gjinore.