Sot në një takim të drejtorit të Drejtorisë së Arsimit z. Nexhmi Rudari me drejtorët e shkollave të
komunës së Podujevës u bë shpallja e shkollës më të pastër dhe asaj më të papastër në komunën e Podujevës. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe anëtarët e komisionit për vlerësimin e pastërtisë së shkollave të cilët prezantuan para drejtorëve të shkollave fotot dhe pikët vlerësuese mbi gjendjen e pastërtisë dhe mbajtjes së mjedisit brenda dhe jashtë shkollave.

Z. Rudari e konsideroi këtë garë shumë të qëlluar për të nxitur të gjithë të mbajnë pastërtinë dhe gjelbërimin e ambienteve shkollore. Ai tha se një garë e tillë do të realizohet edhe në vitin tjetër shkollor.
Në fund komisioni i cili punoi krejtësisht i pavarur dhe i
pandikuar shpalli rezultatet e përgjithshme, ku vendi i parë i takoi shkollës fillore “Dëshmorët e Kombit” e Lagjes së Kuvajtit me titull “Shkolla më e pastër e komunës së Podujevës”. Vendi i dytë i takoi shkollës fillore “Xheladin Rekaliu” të Podujevës, kurse vendi i tretë i takoi shkollës fillore “Zenel Hajdini” të Lupçit të Epërm.
Shpërblimi prej 500 eurove nga komuna e Podujevës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit që ishte i paraparë për vendin e parë, iu dha vendit të dytë, meqenëse shkolla që ka zënë vendin e parë këto ditë ka përfituar një donacion për të gjelbëruar ambientin e oborrit të shkollës.
Komuna e Podujevës e udhëhequr nga kryetari Agim Veliu është duke bërë shumë në funksion të ruajtjes së mjedisit që na rrethon. Në kuadër të kësaj është edhe kjo garë që ka karakter nxitjeje dhe sensibilizimi për ruajtjen e mjedisit. Sepse fundja, pa plotësimin e kritereve për mjedis të pastër nuk mundemi të jemi as pjesë e BE-së.
SHF “Dëshmorët e Kombit” u shpall shkolla më e pastër e komunës së Podujevës