KUVENDI
Mbështetur në nenin 12.4 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, nr.03/L-040 dhe nenin 15.2 pika b të Statutit të Komunës së Podujevës, Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur më__________, miratoi:
PROPOZIM
RREGULLORE E PUNËS TË KUVENDIT TË KOMUNËS SË PODUJEVËS
I. Dispozitat e përgjithshme
Neni 1
Me këtë Rregullore, më afërsisht, përcaktohen rregullat e punës të Kuvendit të Komunës së Podujevës, mënyrat e vendosjes, mënyrat e realizmit të të drejtave e përgjegjësive të këshilltarëve, procedurat e pjesëmarrjes së qytetarëve në mbledhje dhe çështje të tjera me rëndësi për punën e Kuvendit të Komunës, në tekstin e mëtejmë Kuvendi.
Neni 2
Me këtë Rregullore, përcaktohet edhe mënyra e thirrjes, organizmit dhe mbajtjes së mbledhjeve të rregullta dhe mbledhjeve urgjente , miratimi i rendit të ditës, pjesëmarrja në diskutim dhe rregullat për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit.
Neni 3
Kuvendi shqyrton dhe vendos çështje për të cilat është kompetent mbi bazën e dispozitave ligjore, Statutin e Komunës dhe dispozitave të tjera nënligjore si dhe çështje të cilat i delegohen nga Niveli qendror i Republikës së Kosovës.
Neni 4
Në punën e Kuvendit, gjuhët zyrtare të Komunës përdoren në mënyrë të barabartë.
II. Konstituimi i Kuvendit
1. Mbledhja konstituive e Kuvendit
Neni 5
Mbledhja konstituive e Kuvendit, në përbërjen e re, mbahet në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga dita e certifikimit të zgjedhjeve.
Neni 6
Mbledhjen konstituive e thërret kryetari i Komunës nëse është i zgjedhur dhe i certifikuar.
Nëse kryetari i Komunës nuk e thërret mbledhjen konstituive në afatin e paraparë në nenin paraprak, mbledhjen e thërret këshilltari më i moshuar në përbërjen e certifikuat të Kuvendit.
Nëse edhe këshilltari më i moshuar nuk e përmbush autorizimin e tij sipas paragrafit paraprak të këtij neni, mbledhjen konstituive e thërret shumica e këshilltarëve të certifikuar të Kuvendit me nënshkrim të këshilltarëve përkatës që bashkëngjitet në aneks të thirrjes së mbledhjes.
Neni 7
Në rast se kryesuesi i Kuvendit nuk zgjedhet në Mbledhjen konstituive, deri në zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit, mbledhjet i thërret dhe i kryeson këshilltari më i moshuar i Kuvendit.
Neni 8
Rendi i ditës i mbledhjes konstituive, përveç tjerash në parim, përmban:
a) Hapja dhe kryesimi i mbledhjes nga këshilltari më i vjetër i Kuvendit
b) Ngritja e Komisionit për verifikimin e mandatit të këshilltarëve të Kuvendit
c) Raporti i Komisionit për verifikimin e mandatit të këshilltarëve të Kuvendit
d) Dhënia dhe nënshkrimi i betimit solemn të këshilltarëve të Kuvendit
e) Dhënia dhe nënshkrimi i betimit solemn të kryetarit të Komunës
f) Zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit
Ngritja e Komisionit për mbikëqyrjen e procesit të votimit
Propozimi i kandidatëve
Procesi i votimit
Raporti i Komisionit për rezultatet e votimit
g) Dhënia dhe nënshkrimi i betimit të kryesuesit Kuvendit.
Neni 9
Verifikimi i mandatit të këshilltarëve bëhet mbi bazën e Raportit të certifikimit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Neni 10
Betimi i këshilltarëve bëhet në ftesë të kryesuesit të mbledhjes së Kuvendit i cili e lexon pjesë pjesë tekstin, tekst që përsëritet në mënyrë të zëshme nga këshilltarët, me të vetmin ndryshim që pas fjalës unë çdo këshilltar e thotë emrin dhe mbiemrin e vet.
Neni 11
Teksti i betimit për këshilltarë është:
Unë_______________, betohem se do t’i kryejë me nder, me besnikëri, pa anime e me ndërgjegje dhe sipas ligjit, detyrat dhe do t’i ushtrojë autorizimet e mia si këshilltar i Kuvendit të Komunës së Podujevës, në mënyrë që të sigurohen kushte për jetë të qetë për të gjithë qytetarët.
Neni 12
Këshilltari i Kuvendit të drejtat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me dispozita ligjore, Statutin e Komunës dhe këtë Rregullore i fiton ditën e verifikimit të mandatit përkatësisht ditën e dhënies dhe nënshkrimit të betimit solemn.
Betimi solemn nënshkruhet nga këshilltari dhe kryesuesi i mbledhjes, përkatësisht kryesuesi i Kuvendit.
Neni 13
Pas dhënies së betimit nga këshilltarët, betimin solemn e jep kryetari i Komunës.
Tekstin e betimit pjesë pjesë e lexon kryesuesi i mbledhjes, ndërsa kryetari i Komunës e përsëritë në mënyrë të zëshme.
Neni 14
Teksti i betimit për kryetar të Komunës është:
Unë ______________, betohem se do t’i kryejë detyrat dhe do t’i ushtrojë kompetencat e mia në funksionin e kryetarit të Komunës së Podujevës, me nder, besnikëri, paanshmëri, ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që të sigurohen kushte për jetë të qetë për të gjithë.
Teksti i betimit nënshkruhet nga kryetari i Komunës dhe kryesuesi i mbledhjes së Kuvendit.
Neni 15
Në rast se Kryetari i Komunës që është certifikua, për shkaqe të arsyeshme, nuk merr pjesë në mbledhjen konstituive të Kuvendit, betimin solemn e jep dhe e nënshkruan në afatin prej 1 (një) muaji nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, para kryesuesit të Kuvendit nëse është zgjedhur në të kundërtën para këshilltarit më të moshuar në prani të 3 (tre) këshilltarëve të subjekteve të ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvend.
2. Zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit.
Neni 16
Kuvendi, në afat prej 30 ditësh nga dita e konstituimit e zgjedhë kryesuesin nga radhët e këshilltarëve të Kuvendit.
Kryesuesi i Kuvendit zgjedhet për mandat të njëjtë të përbërjes së Kuvendit.
Neni 17
Kandidatët për kryesues të Kuvendit i propozojnë:
përfaqësuesit e subjekteve politike në kuadër të përbërjes së Kuvendit
një grup i këshilltarëve apo një këshilltar
Propozimi i kandidatëve për kryesues të Kuvendit përmban: emrin dhe mbiemrin e kandidatit , biografinë e shkurtë, përkatësinë partiake dhe emrin e mbiemrin e propozuesve apo propozuesit.
Neni 18
Propozimi i kandidatëve për kryesues të Kuvendit, në parim, bëhet në formë të shkruar dhe i njëjti paraprakisht e më së largu deri në fillim të mbledhjes i dërgohet kryesuesit të mbledhjes së Kuvendit.
Propozimit i bashkëngjitet edhe deklarata apo pëlqimi i kandidatit se e pranon kandidaturën.
Propozimi i kandidatëve për kryesues të Kuvendit mund të bëhet edhe në formë gojore gjatë procesit të propozimit të kandidatëve.
Neni 19
Kryesuesi i mbledhjes, përmes Shërbimit profesional të Kuvendit , për këshilltarë, siguron kopje të mjaftueshme të të gjitha propozimeve të paraqitura në formë të shkruar për kryesues të Kuvendit.
Neni 20
Për propozimet e kandidatëve, para se të kalohet në procesin e votimit, hapet debati.
Përfaqësuesi i propozuesve apo propozuesi, gjatë debatit, mund të paraqet arsyetime shtesë për propozimin e kandidatëve apo kandidatit.
Neni 21
Lista e fletëvotimit përpilohet sipas renditjes alfabetike të emrave të kandidatëve.
Neni 22
Votimi i kandidatëve për kryesues të Kuvendit bëhet me vota të fshehta.
Neni 23
Kandidati i cili në votimin e parë merr më shumë se gjysmën e votave nga numri i përgjithshëm i përbërjes së Kuvendit zgjedhet kryesues i Kuvendit.
Në rast se, asnjë prej kandidatëve nuk e siguron shumicën e votave sipas paragrafit paraprak të këtij neni, në procesin e dytë të votimit përfshihen vetëm dy kandidatët të cilët në votimin paraprak kanë marrë numrin më të madh të votave.
Neni 24
Në rast se edhe në votimin e dytë asnjëri prej kandidatëve nuk merr numër më të madh të votave se numri i përgjithshëm i përbërjes së Kuvendit, kalohet në votimin e tretë.
Në votimin e tretë, kryesues i Kuvendit zgjedhet kandidati i cili merr shumicën e votave të këshilltarëve të pranishëm në mbledhje.
Nëse kryesuesi i Kuvendit nuk zgjedhet edhe pas votimit të tretë i tërë procesi zgjedhor përsëritet deri në zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit.
Neni 25
Në tri proceset e votimit për kryesues të Kuvendit përdoren fletëvotime të ngjyrave të ndryshme.
Neni 26
Fletëvotimi përmban Emblemën zyrtare të Komunës, emërtimin për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit, kandidatët sipas radhës dhe nga një katror për deklarimin e votës në vijën horizontale të emrave dhe mbiemrave të kandidatëve, datën, vendin dhe vulën e Kuvendit.
Neni 27
Në rast se për kryesues të Kuvendit është vetëm një kandidat, përveç elementeve të përcaktuara në nenin paraprak, në fletëvotim shënohet emri dhe mbiemri i kandidatit dhe në vijën horizontale dy katror mbi të cilët shënohet “për” dhe “kundër” për deklarimin e votës së këshilltarëve.
Neni 28
Teksti i betimit për kryesues të Kuvendit është:
Unë ______________, betohem se do t’i kryejë detyrat dhe do t’i ushtrojë kompetencat e mia në cilësinë e kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Podujevës, me nder, besnikëri, paanshmëri, ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që të sigurohen kushte për jetë të qetë për të gjithë.
III. Mbledhjet e rregullta dhe urgjente të Kuvendit
Neni 29
Kuvendi punon dhe vendos në mbledhje.
Neni 30
Kuvendi mban mbledhje të rregullta dhe sipas nevojës mban edhe mbledhje urgjente.
Neni 31
Kuvendi gjatë një viti fiskal, është i obliguar të mbajë së paku 10 (dhjetë) prej të cilave 5 (pesë) mbledhje mbahen në gjashtë mujorin e parë të viti përkatës fiskal.
1. Thirrja e mbledhjes
Neni 32
Mbledhjen e Kuvendit e thërret dhe e kryeson , kryesuesi i Kuvendit apo këshilltari përkatës në pajtim me dispozitat e kësaj Rregulloreje.
Neni 33
Mbledhjen e Kuvendit mund ta thërret edhe shumica e këshilltarëve nga numri i përgjithshëm i përbërjes së Kuvendit.
Mbledhja nga paragrafi paraprak i këtij neni thirret, në formë të shkruar, me propozim për shqyrtim të çështjeve konkrete dhe nënshkrim të këshilltarëve përkatës.
Neni 34
Këshilltarët e Kuvendit njoftohen në formë të shkruar së paku 7 (shtatë) ditë pune para ditës së caktuar për mbajtjen e mbledhjes.
Thirrja për mbledhje, përveç tjerash, përmban
Data e mbajtjes së mbledhjes
Koha e fillimit të punës së mbledhjes
Vendi i mbajtjes së mbledhjes
Rendi i propozuar i ditës
Materialet e propozuara për shqyrtim , dhe
Çështje të tjera me rëndësi për mbledhjen përkatëse.
Neni 35
Materialet , në mënyrën dhe afatin e përcaktuar në nenin paraprak të kësaj Rregulloreje i dërgohen edhe Kryetarit dhe nënkryetarit të Komunës, Drejtorive të Administratës Publike të Komunës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Neni 36
Kryesuesi i Kuvendit mund të vendosë që materiali i mbledhjeve të Kuvendit t’i dërgohet edhe mjeteve të informimit, grupeve të caktuara të interesit dhe subjekteve tjera të interesuara.
Neni 37
Kryesuesi i Kuvendit, për mbajtjen e mbledhjeve i njofton edhe qytetarët 7 ditë pune para mbajtjes së mbledhjeve të rregullta ose 3 ditë pune para mbajtjes së mbledhjeve urgjente.
Njoftimi për mbajtjen e mbledhjeve, përveç tjerash, bëhet përmes :
a) Tabelës së shpalljeve dhe shpalljeve publike.
b) Mjeteve lokale të informimit, elektronike dhe të shkruara, dhe
c) Web faqes zyrtare të Komunës.
Neni 38
Për thirrjen e mbledhjeve në rrethana të jashtëzakonshme nuk vlejnë mënyrat dhe afatet për thirrjen e mbledhjeve sipas dispozitave të kësaj Rregulloreje.
2. Hapja e mbledhjes
Neni 39
Mbledhjen e Kuvendit e hap dhe e udhëheqë kryesuesi i Kuvendit.
Kryesuesi, përveç tjerash, njofton nëse ndonjë prej këshilltarëve paraprakisht e ka paralajmëruar mungesën për mbledhjen përkatëse të Kuvendit .
3. Kuorumi
Neni 40
Mbi bazën e thirrjes emër për emër të këshilltarëve verifikohet kuorumi për vendimmarrje në mbledhjen përkatëse të Kuvendit.
Kuorumi ekziston nëse në mbledhje janë të pranishëm 50% +1 këshilltar nga numri i përgjithshëm i përbërjes së Kuvendit.
Neni 41
Në rast se gjatë mbajtjes së mbledhjes, kryesuesi i Kuvendit, konstaton se nuk ekziston kuorumi për punë dhe vendimmarrje e ndërprenë mbledhjen dhe e cakton kohën e fillimit të vazhdimit të mbledhjes.
Neni 42
Pas çdo pauze, para se të fillohet me punë, verifikohet prezenca përkatësisht numri i këshilltarëve të pranishëm në mbledhje.
4. Miratimi i rendit të ditës
Neni 43
Kryesuesi i Kuvendit njofton dhe jep sqarime të shkurta për çështjet e përfshira në rendin e propozuar të ditës.
Kryesuesi i Kuvendit mund të propozojë që në rend dite të përfshihen edhe çështje të tjera për të cilat në mënyrë urgjente është shtruar nevoja për shqyrtim pas dërgimit të thirrjes përkatësisht rendit të propozuar të ditës dhe materialit për mbledhjen përkatëse.
Neni 44
Komiteti për Politikë dhe Financa, mbi bazën e konstatimeve të miratuara, mund t’i rekomandojë Kuvendit që ndonjë çështje të hiqet nga rendi i ditës apo rendi i ditës të plotësohet me ndonjë çështje konkrete.
Neni 45
Grupet e këshilltarëve, këshilltarët dhe përfaqësuesit e trupave punues të Kuvendit përkatësisht Komiteteve dhe Komisioneve e kanë të drejtën të propozojnë ndryshimin apo plotësimin e rendit të ditës me arsyetim të shkurt të propozimit të paraqitur.
Neni 46
Propozimet për ndryshimin apo plotësimin e rendit të ditës, në parim, bëhen në formë të shkruar dhe i dërgohen kryesuesit të Kuvendit më së voni deri në fillim të mbledhjes.
Neni 47
Kuvendi vendos veç e veç për çdo propozim për ndryshimin apo plotësimin e rendit të ditës.
Së pari, sipas radhës së paraqitur, shqyrtohen propozimet që ndonjë çështje e propozuar të hiqet nga rendi i ditës.
Propozimet për plotësimin e rendit të ditës bëhen në analogji sipas mënyrës së përcaktuar në paragrafin paraprak të këtij neni.
Neni 48
Për propozimet lidhur me ndryshimin apo plotësimin e rendit të ditës nuk hapet debat, por pas arsyetimeve të shkurta të propozuesit dhe sqarimeve të kryesuesit të Kuvendit, përfaqësuesit të Ekzekutivit apo propozuesit të çështjes konkrete, kalohet në votim
Neni 49
Rendi i propozuar i ditës, në tërësi, miratohet me shumicën e votave të këshilltarëve të pranishëm në mbledhje.
5. Shqyrtimi çështjeve në mbledhje të Kuvendit
Neni 50
Në mbledhje të Kuvendit çështjet shqyrtohen sipas radhës së përcaktuar në rendin e miratuar të ditës.
Sipas nevojës, në propozim të kryesuesit të Kuvendit, shefit të Grupit të këshilltarëve, apo këshilltarit, Kuvendi përmes votimit mund të vendos për bashkimin e dy apo më shumë çështjeve për shqyrtim të njëkohshëm apo ndryshimin e radhës për shqyrtimin e çështjeve përkatëse.
Neni 51
Kryesuesi i Kuvendit është i obliguar që të respektojë parimin e të drejtës së barabartë për diskutim dhe pjesëmarrje aktive të këshilltarëve në punën e Kuvendit.
Neni 52
Këshilltarëve të Kuvendit, në parim, para fillimit të mbledhjeve në formë të shkruar iu dorëzohen Konstatimet përkatësisht rekomandimet e Komitetit për Politikë dhe Financa lidhur me çështjet e propozuara për shqyrtim në mbledhjet përkatëse të Kuvendit si dhe rekomandimet e trupave të tjerë punues të Kuvendit të cilat paraprakisht shqyrtohen në Komitetin për Politikë dhe Financa.
6. Debati gjatë shqyrtimit të çështjeve
Neni 53
Kryesuesi i Kuvendit, të interesuarve fjalën ua jep sipas radhës së paraqitur për diskutim.
Pjesëmarrësit në mbledhje për pika të caktuara në kuadër të rendit të ditës, për diskutim mund të paraqiten edhe para fillimit të mbledhjes.
Evidencën e radhës së paraqitjes për diskutim para fillimit të mbledhjes e mban zyrtari i autorizuar i Shërbimit profesional të Kuvendit.
Neni 54
Për çdo çështje, në kuadër të rendit të ditës, paraprakisht jepet fjala hyrëse nga propozuesi i çështjes konkrete në kohëzgjatje deri 10 minuta.
Neni 55
Pas fjalës hyrëse, kryesuesi i Kuvendit, fillimisht fjalën ua jep shefave të Grupeve të këshilltarëve, në kohëzgjatje deri 10 minuta, më pastaj fjala iu jepet këshilltarëve përkatësisht pjesëmarrësve të tjerë në kohëzgjatje deri 5 minuta.
Neni 56
Kuvendi, në fillim të shqyrtimit të ndonjë çështjeje, varësisht prej rëndësisë së saj, mund të ndryshojë kohëzgjatjen e diskutimit të paraparë me nenin paraprak të kësaj Rregulloreje.
Neni 57
Sqarimet plotësuese apo diskutimi për herë të dytë, në kuadër të një pike të rendit të ditës, lejohet vetëm pas përfundimit të të gjithë të paraqiturve për diskutim dhe atë në kohëzgjatje deri 3 minuta.
Neni 58
Shefit të Grupit të këshilltarëve apo këshilltarit i cili e kërkon fjalën lidhur me shkeljen e dispozitave të kësaj Rregulloreje, fjala i jepet menjëherë.
Neni 59
Gjatë shqyrtimit të një çështjeje apo propozimi konkret nuk lejohen propozime të tjera, përveç :
Propozimit për ndryshime dhe modifikime.
Propozimit për të parandaluar çrregullimin e punës së mbledhjes.
Propozimit që çështja konkrete të kompletohet me të dhëna shtesë dhe çështja të shtyhet për shqyrtim për mbledhje të radhës të Kuvendit.
Propozimit që debati i mëtejshëm apo vazhdimi i mbledhjes të mbahet i mbyllur.
Propozimit për ndërprerjen e debatit dhe vendosjen e çështjes përmes votimit,
Propozimit për ndërprerje të mbledhjes.
Neni 60
Në rast se gjatë debatit përmendet në mënyrë të drejtpërdrejtë emri i ndonjë diskutuesi, apo shprehet mospajtim me ndonjë diskutim ose pjesë të diskutimit të ndonjë parafolësi, është e lejuar replika në kohëzgjatje deri 3 minuta.
Replika ndaj replikës është e lejuar në kohëzgjatje deri 2 minuta.
Replika vijuese nuk është e lejuar përveç rasteve nëse kryesuesi Kuvendit e vlerëson të arsyeshme dhe të njëjtën e lejon dhe atë në kohëzgjatje deri 2 minuta.
Neni 61
Kryesuesi i Kuvendit, gjatë shqyrtimit të çështjeve, sipas vlerësimit të tij apo mbi bazën e propozimeve, në rast se janë të nevojshme konsultimet në kuadër të Grupeve të këshilltarëve, konsultimet me propozuesin e çështjes konkrete apo çfarëdo konsultimesh të tjera, mund ta ndërprenë përkohësisht mbledhjen dhe njëkohësisht e cakton kohën e vazhdimit të mbledhjes.
Në rast se kryesuesi i Kuvendit nuk e përkrah propozimin për ndërprerjen e përkohshme të mbledhjes, për propozimin e dhënë Kuvendi vendos me votim, përkatësisht shumicën e votave të këshilltarëve të pranishëm.
Neni 62
Përfaqësuesit e organeve, dhe drejtorive të Administratës Publike të Komunës përkatësisht propozuesve të materialeve, për çështjet e shtruara gjatë debatit , sqarimet plotësuese i paraqesin pas përfundimit të diskutimeve të të gjithë të paraqiturve për diskutim.
7. Vendosja dhe miratimi i çështjeve
Neni 63
Kuvendi çështjet i vendos dhe i miraton në mbledhje në të cilat ekziston kuorumi me shumicën e votave të këshilltarëve të pranishëm, nëse me dispozita ligjore, Statutin e Komunës dhe këtë Rregullore nuk është paraparë ndryshe.
Neni 64
Kuvendi, mbi bazën e propozimit të kryesuesit të Kuvendit apo këshilltarit, mund të vendos që për një çështje konkrete votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë.
Në rast se votimi bëhet sipas paragrafit pararendës, paraprakisht ngritët Komisioni për mbikëqyrje dhe komunikim të rezultateve të votimit.
Neni 65
Votimi, në parim është i hapur përveç për çështjet e caktuara me dispozita ligjore, Statutin e Komunës dhe këtë Rregullore.
Votimi i hapur bëhet me ngritje të dorës.
Në procesin e votimit, e drejtë personale e këshilltarit është që çështjen e caktuar ta përkrah, të jetë kundër ose të përmbahet.
Neni 66
Në fund të debatit çështjet e shqyrtuara të rendit të ditës, kryesuesi i përfundon me rezyme të shkurtë dhe konstatime mbi bazën e diskutimeve të zhvilluara dhe i paraqet rezultatet numerike të votimit përkatësisht konstaton se propozimi apo çështja konkrete a është miratuar apo nuk është miratuar.
8. Diskutimi publik
Neni 67
Aktet e përgjithshme dhe çështjet me rëndësi të veçantë, paraprakisht para miratimit vihen në diskutim publik.
Çështjet e obliguara për diskutim publik janë:
Statuti i Komunës
Strategjia e zhvillimit ekonomik
Plani zhvillimor komunal
Plani zhvillimor urban
Plani rregullues urban
Plani për mbrojtjen e ambientit dhe mjedisit
Transporti publik
Furnizimi me ujë të pijes
Rregulloret dhe vendimet me të cilat përcaktohen të drejtat dhe obligimet e qytetarëve,
Bashkëfinancimi për realizimin e projekteve të ndryshme
Rregullimi dhe mirëmbajtja e ambientit në lagje apo lokalitete të caktuara
Krijimi i kushteve më të volitshme për rekreacion të qytetarëve në përgjithësi dhe rinisë në veçanti
Çështje tjera të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë janë me ndikim në kushtet jetësore të qytetarëve
Çështje tjera të përcaktuara me Statutin e Komunës, dhe
Çështje tjera për të cilat vendos Kuvendi i Komunës.
Neni 68
Për Statutin e Komunës, duke përfshirë edhe ndryshimet dhe plotësimet, kohëzgjatja e diskutimit publik është 30 ditë, për Strategjinë e zhvillimit ekonomik, Planin zhvillimor komunal, Planin zhvillimor urban, Planin rregullues urban dhe Planin për mbrojtjen e ambientit dhe mjedisit, diskutimi publik mbahet në kohëzgjatje prej 60 ditës ndërkaq për çështje të tjera prej 15 ditë deri në 30 ditë.
Neni 69
Varësisht nga natyra e çështjes, me vendim të veçantë, caktohet organi apo Drejtoria kompetente për zbatimin e diskutimit publik , ku përfshihet:
Emërtimi i çështjes e cila është objekt i diskutimit publik.
Vendi ku mbahet diskutimi publik.
Kohëzgjatja e diskutimit publik.
Të dhënat tjera të nevojshme që janë me ndikim për zbatimin e suksesshëm të diskutimit publik.
Obligimi që në diskutim publik të merr pjesë përfaqësuesi i organit, Drejtorisë apo propozuesit të çështjes dhe ekspertë tjerë të cilët mund të kontribuojnë në diskutim më të mirëfilltë, dhe
Organi i cili e zbaton diskutimin publik është i obliguar të bëjë vlerësimin e propozimeve, vërejtjeve dhe sugjerimeve të dhëna në aktin e propozuar, të jap sqarime përkatëse dhe të bëjë raport për zbatimin e diskutimit publik të cilin ia paraqet Kuvendit për shqyrtim.
9. Pyetja e këshilltarit
Neni 70
Këshilltari e ka të drejtën që në mbledhje të Kuvendit t’i shtrojë pyetje kryesuesit të Kuvendit, kryetarit të Komunës dhe drejtorëve të Drejtorive të Administratës Publike të Komunës për të gjitha çështjet në kompetencë të Komunës.
Neni 71
Pyetja e këshilltarit shtrohet
Versioni 1 para shqyrtimit të rendit të propozuar të ditës,
Versioni 2 në kuadër të pikës së rendit të ditës Çështje të tjera
Neni 72
Këshilltari, në një mbledhje, mund të shtrojë më së shumti dy pyetje.
Kohëzgjatja për një pyetje është deri 3 minuta.
Pyetja e këshilltarit paraqitet gojarisht dhe dorëzohet në formë të shkruar.
Për pyetjen e këshilltarit nuk hapet debat.
Neni 73
Përgjigjja në pyetjen e këshilltarit, në parim, jepet në formë të shkruar para fillimit të mbledhjes së radhës, por mund të jepet edhe menjëherë pas parashtrimit të pyetjes.
Neni 74
Lidhur me përgjigjen e dhënë, këshilltari i cili e ka shtruar pyetjen e ka të drejtën të shtrojë pyetje plotësuese në kohëzgjatje deri 3 minuta.
Përgjigja mund të jepet menjëherë në formë gojore ose në formë të shkruar para fillimit të mbledhjes së radhës të Kuvendit.
10. Procesverbali
Nen 75
Për punën e Kuvendit mbahet procesverbali.
Neni 76
Mbi bazën e procesverbalit nxirret Ekstrakti i procesverbali i cili përmban datën dhe vendin e mbajtjes së mbledhjes, kohën e fillimit, emrin, mbiemrin dhe funksionin e udhëheqësit apo kryesuesit të mbledhjes, pjesëmarrësit, pikat e rendit të ditës, esenca e shkurt e diskutimeve me konstatimet përkatëse, rezultatet numerike të votimit për çështjet e shqyrtuara, kohën e mbarimit të mbledhjes dhe emrin dhe mbiemrin e zyrtarit i cili e mban procesverbalin.
Neni 77
Pjesëmarrësi në mbledhje ka të drejtë të kërkojë që diskutimi i tij apo një pjesë e diskutimit, në ekstraktin e procesverbalit të evidentohet në formë të shkurtë në mënyrën në të cilën ai e paraqet çështjen konkrete.
Për plotësimin e kërkesës sipas paragrafit paraprak të këtij neni, pjesëmarrësi në mbledhje diskutimin e dorëzon në formë të shkruar.
Gjithashtu, Grupi i këshilltarëve apo këshilltari mund të kërkojnë që në Ekstrakt të procesverbalit të evidentohet veçimi i tyre gjatë votimit në çështje të caktuara.
Neni 78
Lista e nënshkruar e pjesëmarrësve në mbledhje është pjesë përbërëse e ekstraktit të procesverbalit.
Neni 79
Mbledhjet e Kuvendit regjistrohen në mënyrë tonike.
Këshilltarëve së bashku me Ekstraktin e procesverbalit iu dërgohet CD-ja me regjistrim tonik të mbledhjes.
Neni 80
Ekstrakti i procesverbalit, në parim, miratohet në mbledhjen e radhës të Kuvendit.
Këshilltari mund të paraqet vërejtje dhe të kërkojë të bëhen ndryshime dhe plotësime përkatëse në ekstrakt të procesverbalit. Vërejtjet paraqiten gojarisht dhe dorëzohen në formë të shkruar.
Për arsyeshmërinë e vërejtjeve, sipas paragrafit paraprak të këtij neni, vendoset pa debat.
Në rast të mospajtimeve eventuale, të qëndrueshme janë vërejtjet të cilat verifikohen në regjistrimin tonik të mbledhjes.
Neni 81
Ekstrakti i procesverbalit pas miratimit së bashku me vërejtjet dhe plotësimet eventuale nënshkruhet nga kryesuesi i Kuvendit përkatësisht kryesuesi i mbledhjes.
IV. Rregullat për mbarëvajtjen e punës në mbledhje
Neni 82
Në mbledhje të Kuvendit, askush nuk mund të del në foltore dhe as të diskutojë pa iu dhënë fjala paraprakisht nga kryesuesi i Kuvendit.
Neni 83
Këshilltarët dhe pjesëmarrësit të tjerë në mbledhje, gjatë diskutimeve, janë të obliguar t’i përmbahen çështjes e cila shqyrtohet në kuadër të rendit të ditës, të respektojnë dinjitetin dhe autoritetin e këshilltarëve, udhëheqësve të organeve dhe institucioneve të Komunës, të pranishmëve në mbledhje si dhe personave të tjerë që ndërlidhen me çështjen për të cilën debatohet.
Gjatë debatit nuk janë të lejuara shprehjet ofenduese, nënçmuese dhe paraqitja e të dhënave nga jeta private e askujt.
Neni 84
Gjatë punës përkatësisht debatit, nga këshilltarët dhe pjesëmarrësit të tjerë në mbledhje ndalohet ndërhyrja, ndërprerja apo pengimi në çfarëdo mënyre të diskutuesit përderisa i njëjti e përfundon fjalën e tij.
Neni 85
Në rast se ndonjë prej këshilltarëve apo pjesëmarrësve në mbledhje nuk iu përmbahet rregullave të përcaktuara për mbarëvajtjen e punës së mbledhjes, kryesuesi i Kuvendit, sipas vlerësimit të rastit, mund të shqiptojë masat tërheqje e vërejtjes dhe marrje të fjalës si dhe mund të propozojë masën largim nga mbledhja.
Neni 86
Masa tërheqje e vërejtjes i shqiptohet këshilltarit dhe pjesëmarrësit tjetër në mbledhje i cili nuk iu përmbahet rregullave të parapara në nenet___ dhe___ të kësaj Rregulloreje apo në çfarëdo mënyre tjetër e pengon mbarëvajtjen e punës në mbledhjes.
Neni 87
Masa marrje e fjalës i shqiptohet këshilltarit apo pjesëmarrësit tjetër i cili gjatë diskutimit nuk e përfill masën tërheqje e vërejtjes të shqiptuar nga kryesuesi i Kuvendit dhe me sjelljen e tij vazhdon të shkel rregullat për mbarëvajtjen e mbledhjes.
Neni 88
Masa largim nga mbledhja i shqiptohet këshilltarit përkatësisht pjesëmarrësit tjetër i cili nuk iu përmbahet masave të shqiptuara nga kryesuesi i Kuvendit tërheqje e vërejtjes ose marrje e fjalës dhe në rastet kur me sjelljet e tyre shkelin dispozitat e kësaj Rregulloreje.
Për marrjen e masës largim nga mbledhja të këshilltarit apo pjesëmarrësit tjetër vendos Kuvendi, pa debat, me votat e shumicës së këshilltarëve të pranishëm në mbledhje.
Masa e shqiptuar largim nga mbledhja vlen vetëm për mbledhjen përkatëse.
V. Kompetencat dhe përgjegjësitë Kryesuesi i Kuvendit
Neni 89
Kryesuesi i Kuvendit,
Thërret dhe kryeson mbledhjet e Kuvendit
Në konsultim me kryetarin e Komunës propozon rendin e ditës për mbledhje të Kuvendit
Kujdeset për organizmin dhe mbarëvajtjen e mbledhjeve të Kuvendit
Përfaqëson Kuvendin
Është përgjegjës për zbatimin e Rregullores së punës të Kuvendit
Kujdeset për koordinimin e punëve të trupave ndihmëse të Kuvendit përkatësisht komiteteve dhe komisioneve
Është përgjegjës për transparencën e punës së Kuvendit.
Nënshkruan aktet e miratuara në Kuvend
Bashkëpunon me kryetarin e komunës në bashkërendimin e aktiviteteve për punë më të mirëfilltë të Kuvendit
Kryen edhe punë të tjera në pajtim me dispozitat ligjore, Statutin e Komunës dhe këtë Rregullore.
Pushimi i mandatit dhe mocioni – votëbesimi ndaj kryesuesit të Kuvendit
Neni 90
Kryesuesit të Kuvendit , para skadimit të mandatit për të cilin është zgjedhur i pushon funksioni në kushtet e parapara me dispozita ligjore dhe Statutin e Komunës.
Neni 91
Në rast të pushimit të mandatit , për çfarëdo arsye , të kryesuesit të Kuvendit mbledhja për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit thirret më së largu në afatin prej 30 ditësh nga dita e lirimit të postit përkatës.
Mbledhjen nga paragrafi paraprak i këtij neni e thërret këshilltari më i vjetër apo këshilltari të cilin e cakton Kuvendi në mbledhjen kur konstatohet pushimi i mandatit të kryesuesit të Kuvendit.
Neni 92
Propozimi për mocion përkatësisht votëbesim ndaj kryesuesi të Kuvendit mund të bëhet nga 1/3 ( një e treta) e numrit të përgjithshëm të këshilltarëve të Kuvendit.
Propozimi i shtrohet Kuvendit në formë të shkruar me nënshkrim të këshilltarëve përkatës dhe arsyetim të detajuar përse kërkohet votimi për mosbesim.
Neni 93
Kryesuesi i Kuvendit, mbledhjen në të cilën do të votohet për mosbesim apo për besim, është i obliguar ta thërret më së largu në afatin prej 30 ditësh nga dita e parashtrimit të propozimit.
Votimi lidhur me çështjen nga paragrafi paraprak i këtij neni bëhet me vota të fshehta.
Neni 94
Në rast se kryesuesi i Kuvendit nuk e thërret mbledhjen në afatin sipas nenit paraprak, mbledhjen e Kuvendit e thërret këshilltari më i vjetër në kërkesë të propozuesit për votim lidhur me mosbesim ndaj kryesuesit të Kuvendit.
VI. Të drejtat dhe përgjegjësitë e këshilltarit
Neni 95
Këshilltari e ka të drejtën dhe përgjegjësinë e pjesëmarrjes, diskutimit dhe propozimit për shqyrtim të çështjeve të caktuara në mbledhje të Kuvendit me mundësi të barabartë në vendosje dhe ushtrimin e kompetencave në pajtim me dispozitat ligjore, Statutin e Komunës dhe këtë Rregullore.
Neni 96
Këshilltari mund të kërkojë nga kryesuesi i Kuvendit, kryesuesi i Komiteteve apo Komisioneve të Kuvendit dhe Ekzekutivit informacione dhe sqarime të cilat i nevojiten për ushtrimin e funksionit të këshilltarit.
Gjithashtu këshilltari e ka të drejtën që në vijimësi të informohet për të gjitha çështjet me rëndësi nga fushëveprimtaria e Kuvendit, Ekzekutivit dhe Komunës në përgjithësi.
Neni 97
Këshilltari e ka të drejtën e pjesëmarrjes në mbledhjet e të gjitha trupave punues të Kuvendit, por pa të drejtë vote.
Neni 98
Këshilltarit i lejohet mungesa nga vendi i punës për gjithë kohën apo periudhën kohore të nevojshme për ushtrimin e funksionit të tij në punët dhe aktivitetet e Kuvendit.
Për ditën apo periudhën kohore në të cilën është i angazhuar në punët dhe aktivitetet e Kuvendit, lidhur me arsyetimin për mungesën e tij në vendin e punës, këshilltarit i lëshohet vërtetimi përkatës.
Neni 99
Në të gjitha mbledhjet e Kuvendit është e obliguar pjesëmarrja e këshilltarit, përveç rasteve të arsyeshme për mospjesëmarrjen e tij.
Në rast të pengesave të arsyeshme, këshilltari paraprakisht e njofton kryesuesin e Kuvendit për mospjesëmarrjen e tij në mbledhjen përkatëse të Kuvendit.
Neni 100
Këshilltari është i obliguar të ruajë sekretet dhe të dhënat e natyrës së besueshme që i dërgohen në formë të shkruar si dhe ato për të cilat debatohet në mbledhjet e Kuvendit.
Neni 101
Këshilltarit i jepet kartela identifikuese
Kartela identifikuese, përveç Emblemës zyrtare të Komunës, përmban:
Emrin, mbiemrin, datëlindjen dhe foton e këshilltarit si dhe datën e lëshimit, afatin e vlerëshimërisë dhe numrin e kartelës.
Neni 102
Në rast të shuarjes të cilësisë së këshilltarit, i njëjti është i detyruar ta kthejë kartelën identifikuese.
Neni 103
Evidencën e dhënies së kartelave identifikuese të këshilltarëve e mban Shërbimi profesional i Kuvendit.
VII. Shuarja e mandatit të këshilltarit
Neni 104
Funksioni i këshilltarit shuhet në pajtim me dispozitat ligjore dhe dispozitat nënligjore.
Kuvendi konstaton plotësimin e një prej kushteve sipas paragrafit paraprak të këtij neni për shuarjen e mandatit të këshilltarit përkatës.
Neni 105
Në rast të lirimit të ndonjë vendi në përbërjen e Kuvendit, kryesuesi i Kuvendit në afat prej 7 (shtatë) ditë pune e njofton Komisionin Komunal Zgjedhor për inicimin e procedurës për zëvendësimin e këshilltarit të cilit i ka pushuar mandati.
Neni 106
Verifikimi i mandatit të këshilltarit i cili e plotëson vendin e lirë gjatë mandatit përkatës të Kuvendit bëhet në mënyrën e përcaktuar në nenin _______, të kësaj Rregulloreje.
VIII. Konflikti i interesit
Neni 107
Këshilltari përjashtohet nga pjesa e mbledhjes me rastin e debatit dhe votimit lidhur me çfarëdo çështjesh për të cilat ai apo ndonjë anëtar i familjes së tij të ngushtë kanë ndonjë interes personal apo financiar.
Neni 108
Këshilltari nuk mund të merr pjesë e as të jetë i pranishëm në asnjë fazë përgatitore duke përfshirë punën e Komiteteve dhe Komisioneve të Kuvendit në të cilët është anëtar apo Komiteteve dhe Komisioneve në të cilat nuk është anëtar por e ka të drejtën e pjesëmarrjes në mbledhje, që kanë të bëjnë me çështje në të
cilat ai apo anëtari i familjes së tij të ngushtë e kanë ndonjë interes personal apo financiar.
Neni 109
Këshilltari, në rast të konfliktit të interesit, është i obliguar që kryesuesin e Kuvendit ta njoftojë në formë të shkuar në afat prej ____ ditësh pasi të bëhet në dijeni apo të informohet.
Neni 110
Këshilltarët janë të obliguar që në çdo rast, në afatin e përcaktuar në nenin paraprak, të paraqesin konfliktin e interesit për këshilltarin tjetër të Kuvendit.
IX. Grupet e këshilltarëve
Neni 111
Këshilltarët e kanë të drejtën e themelimit të Grupeve të këshilltarëve.
Grupin e këshilltarëve, në parim, e përbëjnë këshilltarët e një subjekti politik apo të një koalicioni politik.
Grupi i këshilltarëve përbëhet prej së paku (3) tre këshilltarëve.
Këshilltari mund të jetë anëtar i vetëm një Grupi të këshilltarëve.
Neni 112
Grupin e këshilltarëve e përfaqëson shefi i grupit.
Në mungesë të shefit të Grupit të këshilltarëve të njëjtin e zëvendëson këshilltari të cilin e autorizon Grupi përkatës i këshilltarëve.
Neni 113
Në rast se Grupi i këshilltarëve përbëhet prej disa subjekteve politike, sipas marrëveshjes, Grupi përkatës mund të përfaqësohet në mënyrë rotative në periudha të caktuara kohore.
Neni 114
Kryesuesin e Kuvendit, subjektet politike e njoftojnë në formë të shkruar për përbërjen, përkatësinë partiake apo iniciativave qytetare dhe shefin i cili e përfaqëson Grupin përkatës të këshilltarëve.
Neni 115
Shefi i Grupit të këshilltarëve në formë të shkruar e njofton kryesuesin e Kuvendit në rast të ndryshimit të përbërjes apo përfaqësimit të Grupit të këshilltarëve.
Neni 116
Grupi i këshilltarëve mund të autorizojë një prej këshilltarëve që të njëjtin ta përfaqësojë në çështje të caktuara të cilat shqyrtohen në kuadër të rendit të ditës në mbledhje të Kuvendit, apo në aktivitete të tjera që janë të ndërlidhura me punën e Kuvendit.
X. Trupat punues të Kuvendit
Neni 117
Kuvendi, në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të veta, në funksion të efikasitetit në lëmi të caktuara për përgatitjen e rekomandimeve, akteve të ndryshme dhe dhënien e propozimeve në çështje konkrete në lëmi përkatëse, përveç trupave të përhershëm obligativ, ngritë edhe trupa tjerë punues të përhershëm, të përkohshëm dhe trupa punues ad hoc.
Trupat e përhershëm punues janë Komitetet e obligative, Komitetet e përhershme dhe Komitetet konsultative.
Trupat e përkohshëm punues dhe trupat ad hoc janë Komisionet, përveç Komisionit për verifikimin e mandateve të këshilltarëve të Kuvendit, Komision i cili ka kryesisht karakter teknik.
Neni 118
Komitetet obligative dhe Komitetet e përhershme shqyrtojnë dhe propozojnë politikat e Kuvendit në lëmi të caktuara dhe pas miratimit në Kuvend përcjellin zbatimin e tyre.
Komitetet japin vlerësime, vërejtje, plotësime dhe sugjerime në materialet të cilat shqyrtohen në Kuvend, propozojnë akte të nevojshme dhe iniciojnë çështje në interes për Komunën.
Neni 119
Kuvendi, në funksion të përfshirjes së qytetarëve në proceset e vendimmarrjes, ngritë Komitetet konsultative për lëmi të caktuara.
Komitetet konsultative, në lëmi përkatëse, bëjnë hulumtime, japin propozime dhe ofrojnë vlerësime lidhur me iniciativat e Kuvendit të Komunës.
Neni 120
Kuvendi, në fillim të mandatit, me vendim të veçantë i ngritë Komitetet e obliguara dhe Komitetet e tjera të përhershme mbi bazën e propozimit të Grupeve të këshilltarëve për numrin, strukturën dhe përbërjen e tyre.
Struktura e komiteteve, nëse nuk parashihet ndryshe me dispozita ligjore dhe dispozita nënligjore, ngritët në proporcion me përqindjen përkatësisht numrin e këshilltarëve të subjekteve politike apo koalicioneve të përfaqësuara në Kuvend.
Komitetet, sipas këtij neni, ngritën në kohëzgjatje të mandatit përkatës të Kuvendit.
Neni 121
Këshilltari mund të jetë anëtar i më së shumti dy Komiteteve.
Neni 122
Për propozimin e përbërjes së Komitetit votohet me vota të hapura.
Komiteti ngritët me vota të shumicës së këshilltarëve të pranishëm në mbledhje.
Në rast se në votimin e parë nuk miratohet përbërja e propozuar e Komitetit përkatës, votimi përsëritet me mundësi që propozuesit paraprakisht të ndryshojnë propozimet e tyre.
Nëse në votimin e përsëritur nuk miratohet përbërja e propozuar, kalohet në votim veç e veç për secilin anëtar përkatësisht kryetar dhe zëvendëskryetar të Komitetit përkatës.
Për anëtarin përkatësisht kryetarin apo zëvendëskryetarin i cili nuk i merr votat e nevojshme, kalohet në propozime të tjera dhe votim në pajtim me dispozitat e kësaj Rregulloreje.
Neni 123
Komiteti për Komunitete i zgjedhë kryetarin dhe zëvendëskryetarin nga radhët e anëtarëve të përbërjes së zgjedhur në Kuvend.
Neni 124
Posti i liruar i kryetarit, zëvendëskryetarit dhe anëtarit të Komitetit zëvendësohet nga subjekti apo koalicioni përkatës politik.
Neni 125
Komisionet e përkohshme ngritën për hulumtimin, analizimin dhe identifikimin e zgjidhjeve më funksionale për një apo disa çështje për të cilat është e nevojshme angazhim dhe punë në periudhë të caktuar kohore dhe përgatitjen e propozimeve konkrete për shqyrtim në Kuvend të çështjeve përkatëse.
Neni 126
Komisionet ad hoc ngritën për vlerësim gjithëpërfshirës të një çështjeje konkrete dhe përgatitjen e propozimit për shqyrtim në Kuvend.
Neni 127
Kuvendi, sipas nevojës, mund të ngritë edhe Komitet konsultativ ad hoc.
Neni 128
Komisionet e përkohshme dhe Komisionet ad hoc ngritën në analogji me ngritjen e Komiteteve të përhershme dhe mandati i tyre pushon me rastin e miratimit të çështjeve në Kuvend për të cilat janë ngritur.
Neni 129
Në pajtim me dispozitat ligjore, Statutin e Komunës dhe këtë Rregullore miratohet Rregullorja për kompetencat, përgjegjësit dhe punën e Komiteteve dhe Komisioneve të Kuvendit.
Neni 130
Komitetet dhe Komisionet të cilat nuk përfshihen në Rregulloren sipas nenit paraprak , përbërja dhe kompetencat e tyre përcaktohen në vendimin me të cilin ngritën.
XI. Programi i punës i Kuvendit
Neni 131
Kuvendi e miraton Programin e punës për vitin përkatës fiskal.
Në Programin e punës përcaktohen punët dhe angazhimet e Kuvendit, aktivitetet dhe çështjet e parapara për shqyrtim, bartësit e përgatitjes së materialeve dhe afatet e shqyrtimit të tyre.
Neni 132
Programi i punës së Kuvendit miratohet mbi bazën e propozimit të Programit të punës të kryetarit të Komunës përkatësisht Drejtorive të Administratës Publike të Komunës duke u mbështetur edhe në propozimet e trupave ndihmës të Kuvendit, Grupeve të këshilltarëve, këshilltarëve të Kuvendit, Grupeve të veçanta të interesit, OJQ-ve dhe subjekteve të tjera relevante të Komunës.
Neni 133
Pas miratimit të Programit të punës, Kuvendi e përcakton kalendarin e mbajtjes së mbledhjeve për vitin përkatës fiskal.
Datat e caktuara për mbajtjen e mbledhjeve mund të lëvizin më së shumti 7 (shtatë) ditë pune.
Neni 134
Në fillim të çdo viti e më së largu deri më _____________, Kuvendi shqyrton realizimin e Programit të punës përkatësisht Raportin e punës për vitin pararendës fiskal.
XII. Transparenca e punës së Kuvendit
Neni 135
Puna e Kuvendit është publike, përveç rasteve kur për arsye shprehimisht të përcaktuara me dispozita ligjore apo dispozita të ndonjë akti nënligjor vendoset që një pjesë apo mbledhja në tërësi të jetë e mbyllur.
Neni 136
Mbledhjet e Kuvendit në interesim të qytetarëve mund të transmetohen drejtpërdrejt në mënyrën audio dhe video.
Neni 137
Punët, angazhimet dhe aktivitetet, Kuvendi i Komunës i bënë publike, përmes:
Komunikatave
Konferencave për shtyp
Web faqes zyrtare të Komunës
Mjeteve lokale të informimit
Tabelës së shpalljeve, dhe
Buletineve të rregullta dhe periodike
XIII. Shërbimi profesional i Kuvendit
Neni 138
Punët profesionale dhe teknike për nevojat e Kuvendit, trupave të Kuvendit, kryesuesit të Kuvendit, Grupeve të këshilltarëve, këshilltarëve, qytetarëve dhe subjekteve të tjera relevante të Komunës, që kanë të bëjnë me punën e Kuvendit, i kryen Shërbimi profesional i Kuvendit.
Neni 139
Në kërkesë të kryesuesit të Kuvendit, Grupit të këshilltarëve apo këshilltarit, Shërbimi profesional i Kuvendit, jep sqarime në aspektin e zbatimit të dispozitave ligjore, dispozitave nënligjore si dhe ofron ndihmë profesionale e teknike në hartimin e propozimeve të cilat i shtrohen Kuvendit për shqyrtim.
Neni 140
Shërbimi profesional i Kuvendit e ruan materialin dhe mban evidencë për mbledhjet e mbajtura të Kuvendit dhe trupave të Kuvendit, pjesëmarrjen dhe mungesën e këshilltarëve në mbledhje, diskutimet e bëra, propozimet e miratuara dhe propozimet të cilat nuk miratohen, çështjet e shqyrtuara si dhe çështje të tjera për të cilat debatohet në mbledhjet e Kuvendit.
Neni 141
Shërbimi profesional i Kuvendit, punët dhe detyrat e punës nga fushëveprimtaria e vet, i kryen në cilësinë e shërbimit të mvehtësishëm në kuadër të Administratës Publike të Komunës.
XIV. Dispozitat përfundimtare
Neni 142
Zbatimin e Rregullores e bënë Kuvendi i Komunës.
Neni 143
Me hyrjen në fuqi të kësaj Rregulloreje shfuqizohen Rregullat e procedurës për mbajtjen e mbledhjeve, nr. 01-1/56-06/5 të datës 16.06.2001.
Neni 144
Rregulloja hyn në fuqi 8 ditë pas miratimit, përkatësisht 8 ditë pas vlerësimit të ligjshmërisë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal
Nr._________
Podujevë,
shkurt 2010
Kryesuesi i Kuvendit
Hazir Raçi
RREGULLORE E PUNËS TË KUVENDIT TË KOMUNËS SË PODUJEVËS