Sot, në galerinë e qytetit, u mbajt promovimi i dy librave të autorit Ismail Ismaili, “Jeta dhe vepra e Mulla Ramë Govorit” dhe “Mulla Ramë Govori, besa, qëndresa dhe ideali kombëtar”, me rastin e 33-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.
Në këtë promovim të librave morën pjesë ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, zëvendësministrat Arton Konushevci dhe Driton Hyseni, deputetë të Kuvendit të Kosovës, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi-Azemi, komandantë, familjarë të heroit Zahir Pajaziti, familjarë të Mulla Ramë Govorit, përfaqësues të institucioneve dhe dashamirë të librit.
Gjatë promovimit, ish-Presidenti Fatmir Sejdiu vlerësoi kontributin atdhetar të Mulla Ramë Govorit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe përcjelljes së vlerave kombëtare te brezat e rinj.
Për jetën dhe veprën e tij foli edhe nënkryetari Fahri Restelica, i cili vlerësoi lart figurën e Mulla Ramë Govorit, si një personalitet të përkushtuar ndaj atdheut, dijes dhe idealit për liri, duke theksuar se kontributi i tij mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së trevës së Llapit.
Fjalë rasti mbajtën edhe familjari i Mulla Ramë Govorit dhe redaktori i librave, Mulla Idriz Bilalli, autori Ismail Ismaili dhe historiani Adem Ajvazi, të cilët folën për jetën, veprimtarinë dhe rëndësinë e dokumentimit të trashëgimisë së tij atdhetare.
Promovimi u pasurua edhe me poezi dhe interpretime artistike kushtuar jetës dhe veprës së Mulla Ramë Govorit.