Heroi i kombit Afrim Zhitia është rikthyer i skalitur në bronz në fshatin ku u lind e u rrit, në Llugë të Podujevës. Shtatorja që u përurua sot do të qëndrojë pranë obeliskut që mban emrin e tij.
Në këtë ceremoni të organizuar nën patronazhin e Kryetarit të Komunës së Podujevë, Shpejtim Bulliqi, morën pjesë liderë institucionalë, personalitete të shqura nga trojet shqiptare e diaspora, ish-të burgosur politikë, veprimtarë, familjarë e qytetarë të shumtë nga të gjitha anët.
Të pranishmëve fillimisht iu drejtua Kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai tha se obeliskut të përtërirë këtu, sot po i shtohet edhe një skulpturë si një vepër monumentale publike e komemorimit të Afrim Zhitisë, djalit të këtij fshati të Llapit dhe heroit të lirisë së Kosovës.
“Shtatorja e Afrim Zhitisë këtu në Lluga, e monumentalizon figurën e tij historike në një vepër publike arti. Por që të plotësohet e tërë infrastruktura kulturore e bartjes ndër gjenerata të historisë së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, sikurse edhe historisë së Bahri Faziut, Agron Rrahmanit, historisë së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe të dëshmorëve të tjerë dhe shokëve të tyre luftëtarë, kemi nevojë edhe për më shumë studime të thelluara dhe më shumë botime shkencore”, u shpreh Kryeministri Kurti.
Ai shtoi se dëshmorët janë dëshmi që burimi i çlirimit dhe faktori vendimtar është vetë populli, prej të cilit vijnë dhe të cilit duhet t’i shërbejnë.
Ndërsa, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, e vlerësoi këtë ditë si të veçantë për Podujevën.
“Në fshatin Llugë po e zbulojmë shtatoren e njërit prej personaliteteve më emblematike të historisë së kombit, Afrim Zhitia. Krahas saj, po përurojmë edhe rinovimin e obeliskut dhe hapësirave përreth, duke i dhënë këtij vendi pamjen dhe vlerën që meriton. Shtatorja e Afrim Zhitisë është më shumë se një monument. Ajo është pasqyrim i shpirtit, i guximit dhe i vullnetit të një njeriu që jetën ia kushtoi lirisë së atdheut”, tha Kryetari Bulliqi.
Sipas tij, Afrim Zhitia nuk ishte vetëm një luftëtar i lirisë, por edhe një intelektual i përmasave të mëdha, i cili përveç pushkës, kishte gjithmonë pranë edhe fjalën e shkruar.
Me nga një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe ish-udhëheqësi i UÇK-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ideatori i obeliskut, Ismet Sylejmani dhe motra e Afrimit, Sadete Zhitia. Ndrësa, mbesa e Afrim Zhitisë, Dardane Zhitia e lexoi njërën nga letrat e Afrimit drejtuar rinisë shqiptare të asaj kohe.
Manifestimi i përurimit të shtatores dhe i rinovimit të obeliskut dhe hapësirave përreth u përmbyll me një këngë kushtuar Afrim Zhitisë, të interpretuar nga Afrim Muçiqi.
Projekti i shtatores dhe rinovimit të obeliskut është financuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.