Kryetari Veliu iu drejtua fëmijëve me këto fjalë: “Të dashur fëmijë unë ua uroj me gjithë zemër festën e juve, duke u dëshiruar shëndet të mirë dhe suksese në jetë. Një ditë sigurisht se dikush nga ju do të jetë në vendin tim si kryetar i komunës, apo edhe në pozitat tjera nëpër institucione. Por për të arritur deri këtu ju duhet të merreni me librin dhe të mësoni, sepse shoqëria jonë ka nevojë gjithmonë për gjenerata të reja që janë të frytshme për të. Unë personalisht i dua shumë fëmijët dhe gjithmonë jam përkujdesur për ta. Ky përkushtim i imi do të vazhdoj edhe më tej, e sidomos në kuadër të institucionit më të lartë lokal që unë drejtoj”, u shpreh kryetari Veliu, i cili në shenjë respekti fëmijëve ua dhuroi nga një libër, duke i porositur ata që ta duan atë.
Më pas kryetari i shoqëroi fëmijët nëpër zyra të ndryshme të komunës, duke iu treguar atyre se si realizohen financat e komunës, projektet e shkollave, rrugëve, organizimi i procesit mësimor nga Drejtoria e Arsimit, organizimi i rrjetit kompjuterik në Komunë, si dhe për aktivitetet e tjera që zhvillohen nëpër drejtoritë e Ekzekutivit të komunës së Podujevës.
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, përkatësisht Bukurezave kryetari i komunës së Podujevës Agim Veliu priti në zyrën e tij një grup fëmijësh për t’ua uruar festën e tyre. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit Nexhmi Rudari dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport Nexhmi Balaj.