Komuna e Podujevës njofton qytetarët se, bazuar në informacionet për situatën epidemiologjike dhe paraqitjen e rasteve të reja me Virusin e Nilit Perëndimor (WNV) në Regjionin e Prishtinës, rekomandohet shtimi i kujdesit dhe ndërmarrja e masave parandaluese për zvogëlimin e rrezikut të përhapjes së infeksionit.
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Për këtë arsye, qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat ku ka ujëra të ndenjura dhe prani të shtuar të mushkonjave.
Qytetarëve u rekomandohet që të eliminojnë ujin e grumbulluar në oborre dhe përreth banesave, të mbajnë të mbuluar rezervuarët e ujit dhe të pastrojnë rregullisht enët, gomat apo hapësirat e tjera ku mund të grumbullohet ujë. Për mbrojtje nga pickimet e mushkonjave rekomandohet përdorimi i repelentëve, veshjeve me mëngë të gjata dhe pantallonave, si dhe vendosja e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe dyer.
Në kuadër të masave parandaluese, institucionet përgjegjëse komunale do të orientohen në identifikimin dhe trajtimin e zonave me rrezik, eliminimin e vendeve të mundshme të shumimit të mushkonjave, kontrollin e vektorëve dhe dezinsektimin në zonat ku vlerësohet e nevojshme, në koordinim me institucionet kompetente.
Gjithashtu, qytetarët këshillohen që në rast të temperaturës së shoqëruar me shenja neurologjike, si konfuzion, dobësi muskulore, çrregullime të vetëdijes apo simptoma të tjera të rënda, të kërkojnë kujdes mjekësor.
Komuna e Podujevës apelon te qytetarët që t’u përmbahen rekomandimeve parandaluese dhe të kontribuojnë në eliminimin e vendeve ku mund të shumohen mushkonjat, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të rasteve të reja të infeksionit me Virusin e Nilit Perëndimor (WNV).