Komuna e Podujevës njofton qytetarët se, për shkak të zhvillimit të punimeve në kuadër të projektit qeveritar “Banimi i Përballueshëm dhe Social”, është mbyllur përkohësisht një segment rrugor në gjatësi rreth 150 metra pranë zonës së ndërtimit.
Mbyllja është bërë për arsye sigurie, për shkak të rrezikut që mund të paraqitet gjatë zhvillimit të punimeve për qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve. Ky segment i rrugës do të qëndrojë i mbyllur për një periudhë prej 6 muajsh.
Komuna e Podujevës rekomandon qytetarët që të shfrytëzojnë rrugët alternative përreth zonës së ndërtimit. Rrugët që më parë kanë qenë njëkahëshe janë përshtatur përkohësisht për qarkullim në dy drejtime.
Kërkojmë nga qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që të respektojnë sinjalistikën e vendosur dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në këtë zonë.