Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe përfaqësuesja nga Iniciativa EEI (Education Empowerment Initiative), Blerta Aliu, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për zbatimin e projektit “Edukimi Medial – Ekspertiza Nordike në Arsim”.
Nëpërmjet këtij memorandumi, synohet forcimi i edukimit medial, sigurisë digjitale dhe mendimit kritik tek mësimdhënësit dhe nxënësit. Po ashtu, Komuna dhe EEI synojnë të promovojnë një qasje moderne, gjithëpërfshirëse dhe të sigurt në arsim, e cila i ndihmon mësimdhënësit dhe nxënësit të zhvillojnë aftësi për të lundruar me përgjegjësi në botën digjitale.
Kryetari Bulliqi theksoi se në kohën e përdorimit të madh të teknologjisë dhe dezinformatave të shumta që shpëndahen nëpër platforma të ndryshme digjitale, ky projekt rreth edukimit medial është mëse i nevojshëm për mësimdhënësit dhe nxnësit tanë.
Ky memorandum parasheh që ekspertët nordikë të zhvillojnë një program ToT (Training of Trainers) për ekipin lokal EEI me qëllim përgatitjen e tyre për trajnimin e mësimdhënësve në shkollat e Podujevës. Pas përfundimit të programit ToT, trajnerët e certifikuar të EEI-së do të realizojnë sesione trajnimi me 30-40 mësimdhënës në shkollat e përzgjedhura me fokus në:
- Edukim medial dhe analizë kritike të burimeve të informacionit;
- Siguri digjitale dhe sjellje të përgjegjshme në internet;
- Parandalim të dezinformimit dhe përmbajtjeve të dëmshme online, etj.
Kohëzgjatja e këtij projekti është 18 muaj.
Në ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi prezent ishin edhe nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu dhe drejtori për Arsim, Avni Fetahu.