Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka nënshkruar dje memorandumin e bashkëpunimit me sekretarin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi për rinovimin e Stadiumit të Qytetit “Zahir Pajaziti”, me vlerë prej 2 milionë euro. Projekti përfshin mbulimin e të gjitha tribunave si dhe vendosjen e ndriçimit të fushës sipas standardeve të UEFA-s (Kategoria 3).
MKRS do të financojë projektin me 2 milionë euro, ndërsa Komuna e Podujevës do të sigurojë të gjithë dokumentacionin, lejet dhe mbështetjen e nevojshme për zbatimin e tij.
Ky investim do të mundësojë kushte moderne për zhvillimin e ndeshjeve dhe aktiviteteve sportive, duke e bërë stadiumin të përshtatshëm për gara vendore dhe ndërkombëtare.
Kryetari Bulliqi ka falënderuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për sportin dhe sportistët e Podujevës.