Komuna e Podujevës dhe Universiteti i Prishtinës kanë nënshkruar Marrëveshje Konsorciumi në kuadër të programit Horizon Europe me projektin “Climate Integrated Pathways for Podujeva (CLIPP)”.
Qëllimi i projektit CLIPP është zhvillimi i strategjive dhe planeve konkrete për përballje me ndryshimet klimatike në Podujevë, përmes analizës së avancuar të të dhënave, përdorimit të mjeteve digjitale dhe bashkëpunimit me komunitetin lokal. Projekti synon të forcojë kapacitetet institucionale dhe të rrisë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Granti në vlerë 209,943.75 euro është i tipit financim kaskadë, që do të thotë se financimi jepet si nëngrant nga një projekt ekzistues i Horizon Europe.
Marrëveshja u nënshkrua nga Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, dhe përfaqësuesit e Universitetit të Prishtinës. Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lirie Hoti, e cila njëkohësisht është koordinatore e projektit nga ana e Komunës.
Projekti do të zbatohet nga janari 2026 deri më 30 qershor 2027 dhe përfaqëson një bashkëpunim të rëndësishëm mes institucioneve lokale dhe akademike, duke sjellë përfitime konkrete për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Komunës së Podujevës.