Sot, nënkryetari i komunës, Fahri Restelica së bashku me grupin joformal të grave asambliste, realizuan një vizitë në klasat e bashkëngjitura të fëmijëve me nevoja të veçanta në shkollën “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik.
Gjatë vizitës, ata u pritën nga stafi arsimor, të cilët prezantuan nga afër punën e përditshme me nxënësit, sfidat me të cilat përballen dhe nevojat konkrete për përmirësimin e kushteve të punës dhe të mësimit. Në këtë takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale, duke theksuar se komuna do të vazhdojë të qëndrojë pranë kësaj kategorie të veçantë.
Nënkryetari Restelica dhe grupi joformal i grave asambliste shpërndanë dhurata për fëmijët, duke sjellë momente gëzimi dhe afërsie gjatë kësaj vizite.
Në fund të vizitës, nënkryetari falënderoi stafin për përkushtimin dhe punën e tyre të vazhdueshme me këta fëmijë, duke i inkurajuar që të vazhdojnë me të njëjtin angazhim. Ai theksoi se komuna do të mbetet gjithmonë një partner dhe mbështetës i tyre në përpjekjet për të ofruar edukim dhe kujdes sa më cilësor.