Qytetarëve të Podujevës nga sot do t’u ofrohet edhe një shërbim i ri shëndetësor: Kujdesi Grupor për Prindërim. Ky shërbim do të ofrohet në Dhomën për Edukim dhe Promovim Shëndetësor në QKMF, të cilën e ka financuar UNICEF-i.
Në hapjen e këtij shërbimi ka marrë pjesë edhe drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Adelina Stublla, e cila theksoi se ky shërbim i ri është i një rëndësie të veçantë, pasi ndikon pozitivisht të përmirësimin e edukimit prindëror, ku prindërit mund të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe të mësojnë nga njëri-tjetri.
Ky shërbim shëndetësor është arritur falë marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar nga drejtoresha Stublla dhe përfaqësuesit e Organizatës “Action for Mothers and Children”.


