Në prag të përvjetorit të shtatëmbëdhjetë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, disa shkolla të Podujevës për nder të kësaj dite organizuan aktivitete të ndryshme festive.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, theksoi rëndësinë e 17 Shkurtit, ditës kur Kosova shpalli pavarësisë e saj.
“Sot kujtojmë një ngjarje historike që ndryshoi rrjedhën e kombit tonë, shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. 17 vjet më parë Kosova mori vendimin më të rëndësishëm historik, duke siguruar të drejtën për të jetuar si shtet i lirë dhe i pavarur. Ky është një moment i cili na kujton sakrificat e popullit tonë, si dhe përpjekjet e gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit”, tha Bulliqi.
Programe festive u mbajtën në shkollën Shaban Shala” e “Naim Frashëri” në qytet dhe “Hamit Sejdiu” në Kërpimeh, në të cilat mësimdhënësit e nxënësit kishin organizuar shfaqje kulturore-artistike, sportive dhe edukative.
Në këto aktivitete festive të shkollave morën pjesë edhe Nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Hilmi Hoxha, drejtori i Arsimit, Avni Fetahu dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Jashanica.




