Në gjashtë vjetorin e vrasjes së policit Arsim Rrustolli, u bënë homazhe te varri i Tij në vendlindje në fshatin Dumnicë e Krasniqës
Delegacioni i komunë së Podujevës i kryesuar nga nënkryetari dr. Bahri Thaçi, vizituan familjen e të ndjerit Arsim Rrustolli i cili u vra në detyrë si pjesëtar i Policisë së Kosovës gjashtë vjet më parë në trazirat e marsit të vitit 2004,në fshatin Shakovicë.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë përfaqësues të komunës së Vushtrrisë, përfaqësues të Policisë së Kosovës, kolegë si dhe qytetarë të shumtë.
Nënkryetari i komunës së Podujevës dr. Bahri Thaçi në fjalën e rastit tha : “E nderuar familje Rrustolli, sot kur po kujtohet përvjetori i vrasjes së Arsimit, është një rast i veçantë dhe jo i lehtë për Ju e as për ne si përfaqësues të institucioneve.
Arsimi si dhe kolegë të tjerë si ai e panë lirinë, e shijuan lirinë, u vunë n’shërbim të saj, në mbrojtje të saj, në mbrojtje të rendit dhe të ligjit, por dhe ranë në mbrojtje të atyre që janë vlera institucionale, vlera të shtetit të ri që po ndërtohet në Kosovë, por s’kemi besuar se do të ndodhë kjo edhe në liri.
E nderuara familje Rrustolli i përjetshëm do të jetë kujtimi, sidomos në Llap ku shërbeu djali i Juaj dhe pjesëtari i një shërbimi të nderuar.
Dhashtë Zoti që këso raste të mos përsëriten më kurrë, ndërkaq këto institucione do të kenë obligim, por edhe mundësi, që nesër të bëjmë edhe më shumë.
Në emër të Policisë së Kosovës foli komandanti Isak Ejupi ku evokoj punën e zellshme me përkushtim të kryerjes së detyrës si dhe sakrificën që ai bëri për ta mbrojtur institucionin më të respektuar në funksion të rendit dhe të paqes.
Në fund udhëheqja komunale e Podujevës, përfaqësuesit të Policisë së Kosovës të, si dhe pjesëmarrësit e tjerë vunë kurora lulesh pran varrit të tij.
Delegacioni i komunë së Podujevës i kryesuar nga nënkryetari dr. Bahri Thaçi, vizituan familjen e të ndjerit Arsim Rrustolli i cili u vra në detyrë si pjesëtar i Policisë së Kosovës gjashtë vjet më parë në trazirat e marsit të vitit 2004,në fshatin Shakovicë.