Shkrimtarë, poetë e gazetarë nga Franca, Anglia, Belgjika, Spanja, Greqia, Ukraina e nga trojet shqiptare janë bërë bashkë në Galerinë e Arteve në Podujevë për të mbajtur Simpoziumin e 14-të Internacional.
Në këtë ngjarje që shënohet për herë të parë në Podujevë, nëpërmjet një ore poetike u kujtua edhe shkrimtari e kritiku letrar, Fatmir Halimi, i cili ndërroi jetë para pak ditësh.
Hapjen e këtij Simpoziumi e bëri shkrimtari, Asllan Qyqalla, i cili e ka falënderuar Komunën për mbështetjen. Ai po ashtu ka folur edhe për jetën dhe veprën e shkrimtarit, Fatmir Halimi, me të cilin tha se e kishin organizuar mbajtjen e këtij Simpoziumi në Podujevë. Në nderim të Fatmir Halimit, të pranishmit mbajtën një minutë heshtje.
Në këtë ngjarje kulturore mori pjesë edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, i cili fillimisht foli për shkrimtarin Fatmir Halimin dhe tha se me vdekjen e tij Podujeva dhe komuniteti i shkrimtarëve kanë humbur një njeri të penës e mbi të gjitha një njeri të mirë.
Kryetar Bulliqi theksoi se për herë të parë ky grup i shkrimtarëve nga Evropa kanë ardhur në Podujevë për të shënuar këtë ngjarje letrare dhe se ndihet i lumtur që kanë pasur mundësi ta ndihmojnë financiarisht mbajtjen e këtij Simpoziumi.
Me nga një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe Reshat Sahitaj, kryetar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, Daniel Levert nga Unioni i Kritikëve Frankofonë dhe familjari i Fatmir Halimit, Fadil Halimi.
Më pas u mbajt ora poetike kushtuar shkrimtarit dhe kritikut letrar, Fatmir Halimi.
Në këtë ngjarje kulturore morën pjesë edhe nënkryetarja e Komunës, Margona Lahu, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica, poetë e zyrtarë komunalë.
Simpoziumi i 14-të Internacional do të zgjasë deri më 29 shtator dhe nesër do të vazhdojë në Prishtinë. Gjatë këtyre ditëve do të ketë edhe promovime librash e po ashtu do të ndahen mirënjohje dhe çmime për pjesëmarrësit.