Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, Biblioteka e Qytetit është pasuruar me 236 tituj të rinj librash (1,834 ekzemplarë) në vlerë afro 20 mijë euro, investim i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, i cili bashkë me Drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica dhe zyrtarë tjerë e ka vizituar Bibliotekën e Qytetit, tha se këta libra janë nga fusha e letërsisë dhe fushave të tjera, të cilët do t’iu shërbejnë lexuesve tanë.
“Gjatë vizitës në Bibliotekën e Qytetit u takova edhe me lexuesit me të cilët diskutuam për kushtet që i ofron salla e leximit. U zotova se kërkesat e tyre do të merren parasysh, gjithnjë në suaza të mundësive, duke e ditur që objekti është nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, theksoi Kryetari Bulliqi.
Komuna në vazhdimësi e ka pasuruar Bibliotekën e Qytetit me libra të rinj.





