Në përvjetorin e 27-të të vrasjes së dëshmorit, Bedri Bajrami, Nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, bashkë me zyrtarë komunalë, ish-përfaqësues të UÇK-së në Llap, familjarë e qytetarë të kësaj komune, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Llapit në fshatin Penuhë.
Në nderim të jetës dhe veprës së dëshmorit Bajrami është mbajtur edhe një aktivitet përkujtimor në fshatin Majac, vendin ku kishte rënë më 27 janar 1999. Ai u kujtua si sportist e luftëtar i cili u dallua për trimëri e vendosmëri.
Nënkryetari Restelica tha se kur populli u përball me shtypje, dhunë dhe padrejtësi, Bedri Bajrami nuk qëndroi anash, por iu përgjigj thirrjes së atdheut, duke iu bashkuar radhëve të UÇK-së.
“Ai mori pjesë në beteja të rëndësishme, nga Kaqanolli deri te Tabet e Llapashticës, ku u dallua për trimëri, vendosmëri dhe udhëheqje të palëkundur. Më 27 janar 1999, në Majac, Bedri Bajrami ra heroikisht për të mos vdekur kurrë. Me rënien e tij, UÇK-ja humbi një luftëtar të jashtëzakonshëm, ndërsa Kosova fitoi një dëshmor të pavdekshëm”, theksoi Fahri Restelica.
Të pranishmëve me nga një fjalë rasti iu drejtuan edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së në Llap, Rafet Llapashtica dhe ish-komandanti Fatmir Humolli. Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti vëllai i Bedriut, Nexhmi Bajrami.
Aktiviteti u përmbull me një program kulturo-artistik.