Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit, Komuna e Podujevës organizoi një aktivitet simbolik në Galerinë e Arteve, ku u vendos “Muri i 8 Marsit”, një hapësirë e dedikuar për mesazhet e grave.
Në këtë mur u vendosën dhjetëra mesazhe nga gratë, përmes të cilave u theksua rëndësia e barazisë, fuqizimit dhe mbështetjes së grave në shoqëri. Mesazhet përcollën thirrje për më shumë mundësi të barabarta, respekt dhe vlerësim për rolin e gruas në familje, në punë dhe në jetën shoqërore.
Aktiviteti u mbështet nga nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, i shoqëruar nga drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi dhe drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lirie Hoti, të cilët morën pjesë në vendosjen e mesazheve në Murin e 8 Marsit. Me këtë rast, ata shprehën përkushtimin për të qenë pranë grave dhe për t’i mbështetur ato në rrugën drejt fuqizimit.