Ministria e Ekonomisë e ka miratuar kërkesën për financimin e investimeve kapitale për ndërmarrjet publike. Në këtë vendim për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” është miratuar shuma prej 1.2 milionë eurove (bashkëfinancim) që do të investohen në rrjetin e ujësjellësit në Komunën e Podujevës.
Nga kjo shumë, 700 mijë euro (bashkëfinancim) janë paraparë për shtrirjen e gypit të ri OD 400mm nga Fabrika e përpunimit të ujit në Shajkoc deri në qytetin e Podujevës në gjatësi prej 8.5 km. Pastaj 300 mijë euro (bashkëfinancim) për shtrirjen e gypit të ri OD 250mm nga gypi i çelikut DN 400 deri në fshatrat Sfeçël, Gllamnik dhe Llapashticë. Dhe 220 mijë euro (bashkëfinancim) ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për fshatrat Katunishtë dhe Llapashticë.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, e vlerësoi të rëndësishëm këtë investim, pasi sipas tij, do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm në Podujevë.
“Shpreh mirënjohjen time për ministren Artane Rizvanolli dhe kryeshefin ekzekutiv të KRU ‘Prishtina’, Arsim Fetahu, për mbështetjen dhe angazhimin e tyre në realizimin e këtyre projekteve shumë të rëndësishëm për Komunën e Podujevës”, theksoi Bulliqi.