Në Komunën e Podujevës sot u zhvillua takimi i radhës me përfaqësues të ndërmarrjeve publike e private për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal 2026–2034.
Në takim morën pjesë drejtori i Urbanizmit, Liridon Gashi, zyrtarë nga kompania projektuese, përfaqësues të kompanive operuese për menaxhimin e mbeturinave (Natyra dhe Pastrimi), përfaqësues të KRU “Prishtina”, përfaqësues të rrjeteve të komunikimit elektronik (IPKO, TELKOS), zyrtarë të QRTK-së si dhe grupi punues.
Takimin e hapi drejtori i Urbanizmit Liridon Gashi, i cili theksoi rëndësinë e përfshirjes së palëve të interesuara në procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal, duke e konsideruar atë një dokument strategjik që do të udhëheqë zhvillimin afatgjatë të Komunës.
Diskutimet u fokusuan në tabelat sektoriale që lidhen me menaxhimin e mbeturinave, furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijes, planifikimin e zgjerimit të rrjetit të infrastrukturës, përcaktimin e perimetrave të zonave të mbrojtura, evidentimin e aseteve kulturore, destinimin e tokave dhe zhvillimin urban të qëndrueshëm.
