Sot, në Sallën e Kuvendit Komunal në Podujevë, u mbajt sesioni informues për themelimin e Këshillave Lokale të Rinisë: Nga Korniza Ligjore te Zbatimi Komunal”, i organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Komunën e Podujevës.
Në sesion morën pjesë përfaqësues komunalë, përfaqësues të shkollave, subjekteve politike, studentë dhe përfaqësues të tjerë të rinisë, me qëllim diskutimin e mundësive dhe hapave konkretë për themelimin dhe funksionalizimin e Këshillave Lokale të Rinisë.
E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi-Azemi, e cila përgëzoi organizimin e këtij sesioni, duke vlerësuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe në zhvillimin e jetës publike në komunë.
“Rinia është një pjesë shumë e rëndësishme e zhvillimit të komunës sonë, prandaj krijimi i mekanizmave që u mundësojnë të rinjve të përfaqësohen dhe të dëgjohet zëri i tyre është një hap i domosdoshëm. Si Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm në të gjitha fazat e këtij procesi, me synimin që të rinjtë të kenë një rol aktiv në vendimmarrje dhe në çështjet që ndikojnë në të ardhmen e tyre”, u shpreh drejtoresha Ibishi-Azemi.
Gjatë sesionit, të udhëhequr nga ekspertja e OSBE-së për rini, Senem Safçi, u diskutua për kornizën ligjore që rregullon themelimin dhe funksionimin e Këshillave Lokale të Rinisë, përgjegjësitë e institucioneve komunale, sfidat e mundshme, si dhe format e mbështetjes dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Pjesëmarrësit u angazhuan edhe në punë në grupe, ku diskutuan për hapat fillestarë të themelimit të Këshillit Lokal të Rinisë, procedurat e anëtarësimit, identifikimin e nevojave dhe përcaktimin e veprimeve të ardhshme për një proces transparent dhe gjithëpërfshirës.