Komuna e Podujevës ka vazhduar ciklin e dëgjimeve publike për hartimin e Projekt-Buxhetit për vitin 2027. Dëgjimi i radhës publik u mbajt në fshatin Orllan, me banorët e këtij fshati dhe të fshatrave përreth.
Në dëgjim morën pjesë nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arbnorë Uka-Osmani, drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Ahmet Ahmeti, drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valbona Ibishi-Azemi zyrtarë komunalë si dhe banorë të Orllanit dhe lokaliteteve përreth.
Takimin e hapi nënkryetari Fahri Restelica, i cili theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në procesin e planifikimit buxhetor dhe paraqitjen e kërkesave që lidhen drejtpërdrejt me nevojat e komunitetit. Ndërsa, drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arbnorë Uka-Osmani, prezantoi të dhënat dhe planifikimet kryesore të Projekt-Buxhetit për vitin 2027, si dhe në pika të shkurtra Qarkoren e Dytë Buxhetore.
Gjatë diskutimit, qytetarët parashtruan kërkesa, propozime dhe sugjerime të ndryshme për Orllanin dhe fshatrat përreth. Kërkesat e tyre u fokusuan kryesisht në urbanizëm dhe infrastrukturë, përmirësimin e shërbimeve publike, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin dhe promovimin e turizmit, arsimin, si dhe në çështje të tjera me interes për banorët e kësaj zone.
Kërkesat, propozimet dhe sugjerimet e paraqitura nga qytetarët u evidentuan në procesverbal dhe do të shqyrtohen nga grupi punues, me qëllim të mundësisë së përfshirjes së tyre në Projekt-Buxhetin për vitin 2027, në përputhje me prioritetet e përcaktuara dhe mundësitë buxhetore të Komunës.