Komuna e Podujevës ka vazhduar ciklin e dëgjimeve publike në kuadër të procesit të hartimit të Projekt-Buxhetit për vitin 2027.
Dëgjimi i radhës u mbajt në sallën e Kuvendit të Komunës, me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe përfaqësuesve komunalë.
Në dëgjim morën pjesë drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arbnorë Uka-Osmani, drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Ahmet Ahmeti, zyrtarë komunalë dhe qytetarë.
Drejtoresha Uka-Osmani prezantoi Qarkoren e Dytë Buxhetore dhe foli për linjat kryesore buxhetore dhe planifikimet për vitin 2027. Gjatë diskutimit, qytetarët paraqitën kërkesa, propozime dhe sugjerime, kryesisht në fushën e infrastrukturës, shërbimeve publike dhe arsimit. Për çështjet e ngritura u diskutua me përfaqësuesit komunalë, me qëllim që nevojat dhe prioritetet e qytetarëve të merren parasysh gjatë procesit të hartimit të buxhetit.
Nesër do të mbahet dëgjimi i fundit në kuadër të këtij cikli të dëgjimeve publike për Projekt-Buxhetin e vitit 2027. Komuna e Podujevës fton qytetarët që të marrin pjesë sa më shumë dhe të paraqesin kërkesat, propozimet dhe prioritetet e tyre, në mënyrë që ato të shqyrtohen dhe, në përputhje me mundësitë buxhetore, të reflektohen në planifikimin e buxhetit për vitin 2027.