Komuna mbajti dëgjimin e katërt publik në kuadër të hartimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore për periudhën 2026–2028, me fokus në fushat e arsimit, shëndetësisë, kulturës, rinisë dhe sportit.
Në këtë dëgjim mori pjesë drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, i cili prezantoi projektet e realizuara në këto fusha gjatë periudhës paraprake dhe synimet për tre vitet në vijim. Drejtori Osmani theksoi se arsimi ka qenë një ndër prioritetet kryesore të Komunës, me një rritje të konsiderueshme të buxhetit të dedikuar për këtë sektor. Ai bëri të ditur se Komuna është fokusuar në ndërtimin e objekteve të reja shkollore, anekseve, si dhe në renovimin e klasave, me qëllim krijimin e kushteve për mësim me orar të zgjatur (mësim gjithëditor).
Pjesëmarrësit mirëpritën të dhënat e prezantuara, por njëkohësisht ngritën edhe çështje të tjera të rëndësishme, përfshirë nevojën për investime shtesë në infrastrukturën sportive, kabinetet mësimore dhe nevoja të tjera.
Drejtori Osmani falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për prezencën dhe kontributin e dhënë në pasurimin e dokumentit planifikues për vitet 2026–2028, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët dhe institucionet arsimore për hartimin e një buxheti të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.


