Sot, në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Podujevës, u mbajt debati publik për Draft Statutin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Statutit të Komunës së Podujevës.
Në debat morën pjesë nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, kryesuesi i Kuvendit Komunal dhe njëherësh kryesues i Komisionit Statutar, Isak Shabani, shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Haki Rudari, anëtarët e Komisionit Statutar, si dhe zyrtarë komunalë.
Kryesuesi Isak Shabani bëri prezantimin e draftit dhe të ndryshimeve e plotësimeve të propozuara në Statutin e Komunës. Pas prezantimit, u zhvillua diskutim me pjesëmarrësit, të cilët paraqitën komentet dhe shtruan pyetjet e tyre lidhur me përmbajtjen e dokumentit.
Draft Statuti për Plotësimin dhe Ndryshimin e Statutit të Komunës së Podujevës do të vazhdojë të jetë në konsultim publik deri më 3 shtator 2026. Komuna e Podujevës fton qytetarët dhe të gjithë të interesuarit që gjatë kësaj periudhe të paraqesin komentet, propozimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me draftin, të cilat do të shqyrtohen në kuadër të procesit të konsultimit publik.