Kuvendi i Komunës së Podujevës ka miratuar propozimin-vendimin për caktimin e lokacionit për ndërtimin e çerdhes publikë në fshatin Balloc. Kjo ishte njëra nga gjashtë pikat e kësaj mbledhjeje të rregullt, të cilën e udhëhoqi Kryesuesi, Hilmi Hoxha, e ku të pranishëm ishin edhe Nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, drejtorë të drejtorive, përfaqësues të KFOR-it, përfaqësues të OSBE-së dhe media.
Para se të miratohej rendi i ditës, drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Adelina Stublla, propozoi shtimin e dy pikave të reja për rendin e ditës:
– Propozim-vendimi për kompensim të anëtarëve të komisioneve të aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Lokale Ah.A Podujevë -NPL Stacioni i Autobusëve;
– Propozim-vendimi për kompensim të anëtarëve të komisioneve të aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Lokale “Eko Llapi” Sh.A Podujevë.
Mirëpo pikat e lartëcekura nuk arritën të përfshihen në rend dite për shkak të mungesës së kuorumit gjatë vënies në votim, dhe të njëjtat u shtyn për mbledhjet e ardhshme.
Edhe asambleistja nga radhët e LDK-së, Donjeta Sheqiri, propozoi që në rend dite të përfshihet Plani i Prokurimit për 2025, informatë nga Drejtoria e Arsimit, informatë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, informatë nga Drejtoria e Urbanizmit dhe informatë nga Drejtoria e Inspeksionit, por as këto propozime nuk kaluan.
Kuvendi pastaj vazhdoi punimet për miratimin dhe diskutimin e pikave të rendit të ditës nga asamblistë dhe drejtorë të drejtorive.
Gjatë kësaj mbledhje u miratuan këto pika të rendit të ditës:
1. Procesverbalet nga mbledhjet e Kuvendit të Komunës të mbajtura më: 11 dhjetor 2024; 30 dhjetor 2024; 29 janar 2025; 17 shkurt 2025;
2. Propozim-vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të çerdhes publike në fshatin Balloc – Komuna e Podujevës;
3. Propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve financiare Ndërmarrjes Publike Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A;
4. Propozim-Plani i Punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi-KKSB, për vitin 2025 (me përfshirje të dy raportimeve të KKSB-së brenda vitit, në korrik dhe dhjetor);
5. Informatë e Drejtorisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Ndërsa te pika “Të ndryshme”, asamblistët u parashtruan pyetje drejtorëve për çështje të ndryshme, të cilëve iu përgjigjën drejtorët që ishin prezentë.