Kuvendi Komunal i Podujevës ka miratuar buxhetin për vitin 2026, në shumën e përgjithshme prej 34,778,954.00 euro.
Mbledhjen e udhëhoqi Kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha, ndërsa të pranishëm ishin edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Nënkryetarja Marigonë Lahu, anëtarë të Ekzekutivit, përfaqësues nga KFOR-i dhe media.
Në fillim të kësaj mbledhjeje, Kryesuesi Hoxha i falënderoi anëtarët e Kuvendit dhe Ekzekutivit për bashkëpunimin gjatë këtij mandati katërvjeçar. Ai theksoi se, pavarësisht sfidave të fillimit të mandatit në kohë pandemie, puna u zhvillua me përkushtim dhe pa ndërprerje.
Edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, falënderoi anëtarët e Kuvendit për bashkëpunimin.
“Në këtë mbledhje të fundit të mandatit, dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal. Pavarësisht dallimeve politike, janë marrë vendime që kanë pasur në themel interesin publik dhe zhvillimin e Komunës sonë. Kjo frymë bashkëpunimi dhe uniteti institucional është shembull se si politika, kur vihet në shërbim të qytetarëve, mund të prodhojë rezultate konkrete dhe të prekshme për jetën e tyre. Ju falënderoj për punën dhe kontributin tuaj në këtë rrugëtim të përbashkët”, tha ai.
Para se të diskutohej për rendin e ditës, Avni Islami nga Balli Kombëtar Demokrat e bëri betimin si anëtar i Kuvendit, pasi e zëvëndësoi Gazmend Islamin, i cili ndërroi jetë javë më parë.
Ndërsa, Drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, propozoi përfshirjen e dy pikave shtesë:
Propozim-vendim për ndarjen e mjeteve financiare për ndërmarrjen publike lokale “Eko-Llapi” Sh.A;
Propozim-vendim për shtim të buxhetit dhe kod të ri – Projekti “Furnizim me Pajisje për Blegtori”.
Të dy propozimet-vendimet u përfshinë në rend dite.
Drejtori Osmani e prezantoi projektbuxhetin e Komunës për vitin 2026 dhe parashikimet buxhetore për vitet 2027–2028. Ai theksoi se ky është një buxhet gjithëpërfshirës, i cili reflekton nevojat e qytetarëve dhe prioritetet kryesore të Komunës, duke përfshirë arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, bujqësinë, kulturën dhe sportin.
Për projektbuxhetin diskutuan anëtarët e të gjitha subjekteve politike, të cilët dhanë sugjerime, kritika dhe vlerësime. Drejtori Osmani iu përgjigj pyetjeve dhe sqaroi rritjen e buxhetit sipas kategorive. Pas një debati gjithëpërfshirës, buxheti për vitin 2026 u miratua në shumën prej 34,778,954.00 euro.
Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhjeje u miratua edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për ndërmarrjen publike lokale “Eko-Llapi” Sh.A dhe vendimi për shtim të buxhetit dhe kod të ri – Projekti “Furnizim me Pajisje për Blegtori”.