Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Isak Shabani. Në mbledhje ishin të pranishëm kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetari Fahri Restelica, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të OSBE-së, përfaqësues të Institutit KLGI, si dhe përfaqësues të mediave.
Para fillimit të punimeve dhe miratimit të rendit të ditës, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, propozoi përfshirjen në rend dite të pikës “Propozim-vendim për ndarjen e mjeteve financiare ndërmarrjes publike lokale ‘Eko-Llapi’ Sh.A. Podujevë”.
Duke arsyetuar propozimin, kryetari Bulliqi foli për gjendjen e krijuar gjatë muajve të fundit në menaxhimin dhe grumbullimin e mbeturinave, sfidat me të cilat është përballur ndërmarrja regjonale e mbeturinave “Pastrimi” Sh.A, si dhe hapat e ndërmarrë nga Komuna për tejkalimin e situatës. Ai foli edhe për mënyrën e destinimit të mjeteve financiare të parapara në ndërmarrjen Eko-Llapi’ Sh.A me qëllim të përmirësimit dhe stabilizimit të shërbimit dhe parandalimit të përsëritjes së një situate të tillë në muajt në vijim. Propozimi u mbështet nga anëtarët e Kuvendit dhe u përfshi në rendin e ditës si pika e tretë.
Gjatë mbledhjes u shqyrtuan dhe u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës. Fillimisht u miratua procesverbali nga mbledhja e Kuvendit të Komunës e mbajtur më 29.06.2026, ndërsa më pas u mbështet Deklarata për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave në politikë dhe në jetën publike. Po ashtu, Kuvendi miratoi Propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve financiare ndërmarrjes publike lokale “Eko-Llapi” Sh.A. Podujevë.
Në vazhdim, drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Ahmet Ahmeti, paraqiti informatën e kësaj drejtorie për periudhën 01.01.2026 deri më 19.08.2026. Gjatë shqyrtimit të saj, anëtarët e Kuvendit ngritën dhe diskutuan çështje që lidhen me infrastrukturën, planifikimin urban dhe fusha të tjera në kuadër të përgjegjësive të drejtorisë, për të cilat drejtori Ahmeti dha sqarimet përkatëse.
Ndërsa, informatën e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për periudhën janar–qershor 2026 e prezantoi drejtori Behram Latifi. Anëtarët e Kuvendit parashtruan pyetje dhe diskutuan rreth projekteve, për të cilat drejtori Latifi dha përgjigje dhe sqarime.
Në pikën “Të ndryshme”, anëtarët e Kuvendit ngritën çështje që lidhen me arsimin, shërbimet publike, infrastrukturën dhe fusha të tjera me interes për qytetarët, ndërsa drejtorët e drejtorive përkatëse iu përgjigjën pyetjeve dhe çështjeve të ngritura.
Në fund të mbledhjes, përfaqësuesi i KLGI-së, Besnik Muçaj, prezantoi projektin për vlerësimin e performancës së anëtarëve të Kuvendit Komunal, i cili zbatohet në kuadër të projektit DEMOS/Helvetas. Ai i njoftoi anëtarët e Kuvendit për procesin e monitorimit dhe vlerësimit për periudhën korrik 2026 – mars 2027, duke prezantuar fushat që do të monitorohen, indikatorët dhe kriteret e vlerësimit, mjetet e verifikimit dhe mënyrën e pikëzimit.