Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhje urgjente, të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Isak Shabani. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe nënkryetari Fahri Restelica, drejtorët e drejtorive komunale dhe përfaqësues të mediave.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi, tha se arsyeja e thirrjes së kësaj mbledhje është shqyrtimi i Propozim Vendimit për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër Ministrisë së Punëve të Brendshme – Policisë së Kosovës, ish objektin e Gjendjes Civile në fshatin Orllan.
Ai sqaroi se ky objekt aktualisht nuk është duke u shfrytëzuar për shërbime të gjendjes civile dhe, si i tillë, paraqet mundësi të mirë për t’u vënë në funksion të institucioneve të sigurisë. Sipas tij, dhënia në shfrytëzim e këtij objekti për Policinë e Kosovës do të kontribuonte në përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e prezencës policore në atë zonë.
Drejtori Selimi shtoi se stacioni policor në Orllan ka funksionuar në kushte jo të mira për shkak të vjetërsisë së objektit. Duke theksuar rëndësinë strategjike të kësaj zone përgjatë brezit kufitar, ai potencoi se aktualisht mbulueshmëria me policë ka qenë e kufizuar, ndërsa me dhënien në shfrytëzim të këtij objekti pritet që numri i policëve në atë zone të rritet dukshëm.
Në fund, drejtori Selimi kërkoi nga anëtarët e Kuvendit që të mbështesin këtë pikë të rendit të ditës, duke e konsideruar si të rëndësishme për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e shërbimeve policore në atë zonë.
Pas diskutimeve nga anëtarët e subjekteve të ndryshme politike, kjo pikë u përkrah njëzëri dhe u miratua nga Kuvendi i Komunës.