Sot në Podujevë u bë hapja zyrtare e Festivalit gjithëkombëtar ambiental “Teatri Ndryshe”. Ky festival
po mbahet nën patronatin e kryetarit të komunës së Podujevës z. Agim Veliu.

Në këtë mbrëmje ceremoniale në ambientet e shkëlqyera të kafenesë “ABC Plus” ku mbretëronte një atmosferë artistike, para shumë artdashësve llapjan fjalën e mori kryetari Veliu, i cili tha:
“Krijues të çmuar të artit teatror nga Shqipëria, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova, Dashamirë të artit teatror, në emër të institucioneve të komunës dhe në emrin tim personal ju dëshiroj mirëseardhje në Festivalin e Teatrit Ambiental – “Teatri Ndryshe”. Llapi i ka dhënë artit teatror dikur, mëton ti jep edhe sot shenja ndryshe në funksion të zhvillimit të teatrit. Do të donim që edicioni i dytë i festivalit “Teatri Ndryshe” të ndikoj në afirmimin e teatrit si art dhe kulturë, të identifikoj dhe zhvilloj tendenca të reja shprehëse, duke kërkuar e gjetur mundësi të reja për shprehje teatrore.
Të nderuar artistë, arti teatror gjendet para sfidave konkurruese me mediumet tjera, andaj identifikimi, gjetja dhe afirmimi i shprehjeve të reja teatrore në hapësira jo konvencionale, si kjo këtu sonte besojmë se do t’i kontribuoj jetës së shëndetshme të teatrit, e ku në mënyrë përmbledhëse jepet argumenti i nivelit të zhvillimit të artit si shprehje autentike e domethënëse dhe tregues i nivelit të zhvillimit të kulturës të një vendi në përgjithësi.. Duke u dhënë hapësirë shprehjeve të reja teatrore stimulohen krijuesit teatror dhe krijuesit tjerë të cilët guxojnë të provojnë ndryshe për të gjetur rrugën deri te spektatori i ri i cili tashmë ka edhe kërkesa tjera. Teatri ashtu si mediumet tjera do të duhej që spektatorit t’i jep mundësi të reja të qasjes, ndoshta edhe të shkoj atje ku është ai. Festivali është një nga mënyrat më të suksesshme për të nxënë spektatorin e ri, duke e ruajtur edhe atë spektatorin e ashtuquajtur tradicional, i cili do ti kthehet teatrit, nëse i bëhet një ofertë e mirë promovuese.
Artisti nxjerr nga vetja botën e tij të brendshme, shpirtin e tij për ta vënë në funksion të kënaqësisë artistike të spektatorit.
Është privilegj i yni të kemi mundësinë të jemi nikoqir të artistëve dhe artit të tyre, i cili edukon emocionet tona, na bënë që ta ndjejmë të qenurit njeri, bukurinë e komunikimit shpirtëror. Edhe atëherë kur qenia jonë kombëtare rrezikohej, fjala në skenë, veprimi në hapësira jo konvencionale , jeta kulturore dhe teatri sidomos, mbijetuan duke sfiduar dhunën me shpirt. Jemi të vetëdijshëm se kultura sot e gjithë ditën ka nevojë për përkrahje dhe mbështetje edhe më të madhe dhe të përhershme ngase buxheti i tashëm që ndahet për art dhe kulturë lë shumë për të dëshiruar. Andaj të dashur aktorë, regjisorë, dramaturgë, të gjithë ju që bëni teatër, ju që mendoni njëjtë për zhvillimin e teatrit, por keni rrugë, mundësi e hapësira ndryshe, e meritoni një përkrahje më të
madhe dhe shpresoj se do ta keni. “Teatri Ndryshe” këtu në Podujevë për një javë do të na sjell produkte teatrore ndryshe për të nxënë spektatorë dhe artdashës, dhe për t’iu dhënë atyre mundësinë e kënaqësisë artistike dhe shqyrtimit të vetvetes. Shpresoj bashkë me ju, artistë të dashur, se do të arrijmë të krijojmë një atmosferë të dëshirueshme.

Do të kemi mundësi të shprehim opinionet tona në tryezën e begatë të festivalit dhe të këmbejmë përvoja pune e jete sa jemi këtu, e kështu bashkë në funksion të afirmimit të artit dhe teatrit. Dhe të jetë kështu, të bëhet ndryshe, ashtu siç e kemi projektuar ëndrrën për shtetin e Kosovës, dhe e bëmë realitet. Të krijojmë edhe realitete tjera, si ky që po e nisim sonte.
Artistë të çmuar, mysafirë të respektuar dhe ju dashamirë të artit, kam nderin dhe kënaqësinë të shpalli të hapur skenën e “Teatrit Ndryshe”. Suksese!”
Pasi edhe zyrtarisht kryetari Veliu bëri hapjen solemne të festivalit, menjëherë filloj shfaqja e parë e këtij festivali “Aktori në kuti” nga Mentor Zymberaj. Po këtë mbrëmje u hap edhe një ekspozitë nga piktorë të mirënjohur të trevës sonë, kurse nesër do të jetë shfaqja “Dardha te bunari” nga Iliriana Arifi.
Festivali do të zgjas 7 ditë, dhe në të do të marrin pjesë grupe teatrore nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja.
Kryetari Veliu hapi zyrtarisht festivalin teatror mbarëkombëtar “Teatri Ndryshe” i cili po mbahet në Komunën e Podujevës